Lajme

Hyseni: Ndalimi i dinarit lidhet me zbatimin e Asociacionit

By GAZETA SCANNER 1

February 02, 2024

Vendimi i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë, lidhet me zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kështu ka thënë Zgjim Hyseni, nga Partia Socialdemokrate.

Hyseni i PSD-së, në emisionin FIVE, ka theksuar se Kosova është në fazën e zbatimit të Asociacionit dhe ka thënë se Serbia e ka pranuar këtë duke marrë autonomi në këtë mënyrë.

Ai ka theksuar se ndalimi i dinarit është vetëm duke u paraqitur nga Qeveria si një hap drejt shtrirjes së sovranitetit.

“Është zgjidh diçka që është krijuar përshtypja sikur po krijon ngërç. Çka vlen me përmend që krejt rrugët çojnë drejt Zajednicës [Asociacioni], nuk është përjashtim as kjo. Sepse financimi i serbëve po kalon prej financimit që ka qenë i natyrës paralele pra dinar tash me Asociacion parashihet që financimi i serbëve të bëhet përmes Asociacionit, këtë gjë e ka pranuar Serbia, Tash çfarë po bën Qeveria e Kosovës, për t’u dukur sikur është një intervenim për me shtri sovranitet, domethënë atë që ka qenë financim paralel, institucioneve të Serbisë po bëhet financim në autonominë e Kosovës prapë prej Serbisë”, ka deklaruar Hyseni.

“Sepse ne jemi në zbatim të Asociacionit edhe jo më shumë se një muaj apo dy muaj larg. Edhe një gjë të tillë e ka pranuar Serbia, çfarë po bën Kosova është për t’u dukur sikur po e shtrin sovranitetin elementet e Asociacionit po i zbaton në mënyrë të njëanshme”, ka thënë tutje Hyseni.

Por, sipas tij, ndryshimi në mënyrën e financimit të serbëve në Kosovë pritet të ndodhë përmes Asociacionit, dhe kjo është një nga arsyet që sipas tij, vendimi i BQK-së është pjesë e procesit të krijimit të Asociacionit, dhe jo një hap unilateral.

“Po deri në krijim të Asociacionit si mbas të gjitha gjasave vendimi nuk po shfuqizohet, nuk po tërhiqet për shkak se një gjë e tillë ka pasur të ndodhë por duhet me iu dhënë kohë që të bëhet si pjesë e zbatimit të Asocaicionit e jo si diçka unilaterale që po donë Kosova me paraqit. Serbia e ka pranuar këtë sepse e ka marrë autonominë, prej sistemit paralel joformal po kalojmë te pjesa formale”, ka deklaruar Hyseni.