Lajme

Hyn në fuqi marrëveshja e Shqipërisë me Italinë për pensionet

By GAZETA SCANNER 1

July 06, 2024

Nga 6 korriku të gjithë emigrantët që jetojnë në Itali do të përfitojnë nga marrëveshja për pensionet me Shqipërinë.

Në fletoren zyrtare është publikuar marrëveshja me shtetin italian dhe klauzolat përkatëse.

Kështu, të gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali do të përfitojnë nga Sigurimi i Përgjithshëm i Detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar si artizanë, tregtarë, fermerë dhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet, ku përfshihen edhe tuberkulozi dhe barrë lindja, sigurimin e papunësisë.

Ndërsa në Shqipëri zbatohet për sigurimin për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindja dhe sigurimin e papunësisë, shkruan Tvklan.al.

Pas datës 6 korrik, shqiptarët në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në shtetin italian dhe atë shqiptar duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që ka derdhur kontributet.

Janë rreth 500 mijë shqiptarë që përfitojnë nga marrëveshja me Italinë. Po ashtu shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje.

Deri më tani Shqipëria ka negociuar dhe lidhur me marrëveshjen me 17 shtete. Negociatat së fundmi janë përqendruar me qeverinë greke.