Lajme

Humolli: Nga Qeveria Kurti e pamë në praktikë se si nuk funksionon Kuvendi

By GAZETA SCANNER 1

November 08, 2024

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, nga Qeveria Kurti tha se është parë vetëm një gjë pozitive. Sipas tij, ajo është që e ka përmbush plotësisht një mandat prej katër vjetëve.

Por, Humolli thotë se nga Qeveria e tanishme nën udhëheqjen e VV-së është parë edhe një praktikë, e cila sipas tij tregon se si nuk duhet të funksionojë Kuvendi i Kosovës.

“Është pozitive vetëm që po e përmbush mandatin, por është edhe një praktikë që është parë se si nuk duhet të funksionojë Kuvendi i Kosovës. Pra, duhet me mësua prej dështimeve të Kuvendit”, deklaroi ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Deputeti i pavarur tha se në Kosovë nuk do të ketë demokraci, përderisa deputeti i Kuvendit konsiderohet i partisë e jo i qytetarëve.

“Derisa mendohet që deputeti është i partisë e jo i qytetarëve, atëherë kurrë nuk ka me pas demokraci të nivelit qysh duhet. Kjo është pa edhe në praktikë, janë ndërtuar grupacione brenda Kuvendit të Kosovës pa vizione politike. Asnjë nga ligjet nuk ka kaluar nga  i opozitës edhe pse kur kemi diskutuar me deputetë në mënyrë të pavarur kanë qenë dakord me ato drafte, mirëpo për hir të partisë nuk i ka kaluar. D.m.th nuk ka pavarësi që duhet me pas deputeti. Pa e pas pavarësinë deputeti në Kuvendin e Kosovës kurrë demokracia s’do të jetë në nivel”, deklaroi Humolli.