Lajme

Humolli: Kodi Civil nuk kalon, jetojmë në Kosovë, jo në perëndim

By GAZETA SCANNER 1

May 06, 2024

Deputeti i pavarur i Kuvendit, Fatmir Humolli, e që dikur ishte në krah të Kurtit thotë se Kodi Civil, i cili lejon martesat e gjinisë së njëjtë pritet të dështojë.

Ai kujton se më fushatë elektorale s’ka pasur kërkesa të tilla nga qytetarët, duke shtuar se nëse e kërkon këtë perëndimi, ai nuk jeton atje por në Kosovë.

“Së pari, Kodi Civil ka shumë nene e ligje por për shkak se është përmendur shumë për martesat e gjinisë së njëjtë unë do të jem kundër, për arsye se ne në fushatë elektorale, kudo që kam qenë s’ka pasur asnjë kërkesë të kësaj natyre prej qytetarëve. Në qoftë se kërkojnë prej shesheve të perëndimit, unë nuk jetoj në perëndim, jetoj në Kosovë”, potencon deputeti për “Expose” të Gazeta Blic.

Duke komentuar deklaratën e Kurtit për këtë çështje, ai thotë se nuk respektohet demokracia që secili të votojë i pavarur.

“Demokracia është që secili voton i pavarur dhe nëse ka këso deklarime, nuk e respekton demokracinë”, vlerëson Humolli.

Ai është i mendimit se projektligji nuk do të kalojë në Kuvend.

“Sipas të gjitha gjasave nuk ka mundësi që të kalojë, për arsye se opinion ynë, qytetarët janë kundër, pavarësisht disa mekanizmave që i kanë ndërtuar ndërkombëtarët për të përhapur pikëpamje të tilla në Kosovë”, deklaron deputeti Fatmir Humolli.