Sport

Huliganët rumunë nisin fyerjet ndaj Kosovës, paralajmërojnë një aksion gjatë ndeshjes

By GAZETA SCANNER 1

November 15, 2024

Tifogrupi rumun “Unitisubtricolor” që ka qëndrim proserb e i cili shfaqi pano anti-Kosovë në ndeshjen e kaluar në Bukuresht, ka dalë me komunikatë zyrtare të enjten në mbrëmje dhe kanë kërkuar ndihmën e serbëve.

Në postimin e gjatë të bërë në rrjetin social “Instagram”, grupi ka shkruar ndër të tjera se do të synohet ndihma e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe injorimi i tifozëve të Kosovës, “Dardanëve”.

“Bashkë me vëllezërit që do të vijnë nga Serbia, ne do të organizojmë aksion të madh bamirësie që do t’i dedikohet popullit serb në Kosovë dhe Metohi, nëpërmjet së cilës ne do të mundohemi t’i ndihmojnë njerëzit që vazhdimisht janë të shtypur dhe terrorizuar, në tokën që de facto u takon atyre njerëzve. Para ndeshjes, në pushim, dhe po ashtu gjatë ndeshjes do të sjellim kutia nëpër shkallët e stadiumit për të mbledhur para për këtë çështje humanitare”, ka shkruar grupi i huliganëve rumunë.

“Të premten në mbrëmje, gjatë ndeshjes, ne do ta përkrahim ekipin me gjithë forcën tonë për të arritur fitore të re tashmë të zakonshme kundër përfaqësueses së kësaj krahine dhe sa të mundemi do t’i injorojmë mysafirët, të cilët tashmë kanë marrë më shumë vëmendje se që e kanë merituar ndonjëherë”, shkruhet ndër të tjera në komunikatën e gjatë.

Ndeshja e kaluar në Bukuresht ishte ndërprerë për 50 minuta për shkak të thirrjeve anti-Kosovë dhe panove kundër shqiptarëve.

Është shfaqur edhe flamuri i Serbisë mbi hartën e Kosovës.

Po i njëjti flamur është shfaqur edhe në postimin e të enjtes mbrëma nga ky grup.

Rumania e Kosova luajnë sonte nga ora 20:45.