Lajme

Hoxhaj kritikon Evropën: Kurrë s`kam besuar se Berlini dhe Parisi s’do ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës në KiE

By GAZETA SCANNER 1

July 06, 2024

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qasjen e BE-së ndaj Ballkanit.

Derisa ka marrë pjese në një takim në Bundestag për të nderuar politikanin gjerman Gernot Erler, ai ka thënë se në Ballkan nuk po shihet një politik evropiane.

Sipas tij, në këtë rajon ka vetëm një paqartësi dhe status-quo.

“Në fjalën time për nder të ditëlindjes së tij, dhash mendimin tim për Kosovën dhe Ballkanin në kontekstin aktual të politikës gjermane dhe të kërcënimeve gjeopolitike në Evropë dhe në botë! Derisa pritet që lufta në Ukrainë të rizgjojë gjeopolitikisht perëndimin, në Ballkan nuk po shihet një politikë evropiane që mbështetë zgjerimin e BE-së me anëtarësime të reja dhe as anëtarësim në NATO, por ka vetëm një paqartësi dhe status-quo! Si pasojë e mungesës së integrimit në struktura euro-atlantike, Serbia është duke ndjekur një politikë të dezintegrimit dhe të shpërbërjes së rendit liberal dhe pluralist që është ndërtuar në Ballkan pas rënies së Murit të Berlinit, si zbatim i politikës së saj hegjemoniste dhe të politikës së imperializmit të Rusisë në Ballkan dhe Evropë”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka kritikuar Gjermanin, Francës dhe Italinë që nuk e kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

“Gernot Erler dhe unë jemi takuar e kemi biseduar shpesh, sidomos gjatë negociatave për pavarësinë e Kosovës në kuadër të procesit të Ahtisaarit në vitet 2006/7, kur une si anëtar i delegacionit të Kosovës erdha në Berlin për ta informuar atë! Atëherë, të dy ishim të mllefosur dhe të shqetësuar se si Rusia dhe Kina po e bllokonin anëtarësimin e Kosovës në OKB në vitin 2007. Por, asnjëherë nuk kam besuar se Kosova, një shtet i krijuar me mbështetje evropiane dhe amerikane mbi bazat demokratike dhe të konceptit liberal, nuk do të anëtarësohet së paku në Këshill të Evropës për shkak të mungesës së mbështetjes së Berlinit, Parisit dhe Romës, si është konfirmuar me shkrim zyrtarisht nga këto kryeqytete, në letrën e kancelarit gjerman, presidentit francez dhe kryeministres italiane!”, ka shkruar Hoxahj.