Ballina

Hoxhaj: Aty ku me dekada Serbia ishte e izoluar, me qeverinë Kurti, i janë hapur dyert në tërë botën

By GAZETA SCANNER 1

August 28, 2023

Ish-kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shprehur shqetësimin e tij për nivelin aktual të prezencës ndërkombëtare të Kosovës në arenën ndërkombëtare nën udhëheqjen e qeverisë Kurti.

Hoxhaj ka vlerësuar se politika e jashtme e vendit është zbehur dhe energjia e mbrojtjes së interesave shtetërore është shuar në mënyrë të padëshirueshme.

Duke iu referuar periudhës pas vitit 1989, Hoxhaj ka shtuar se aktualisht Kosova është ndër shtetet me prezencë më të ulët në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ai ka bërë një kontrast midis politikës së qeverisë aktuale dhe kohës kur Serbia ishte e izoluar, duke theksuar se me qeverinë e tanishme, Serbisë i janë hapur dyert në tërë botën.

“Nga Evropa në Amerikë, e nga Azia në Amerikën Latine, Kosova asnjëherë nuk ka qenë me kaq pak prezencë në marrëdhëniet ndërkombëtare prej vitit 1989, sesa si tash me qeverinë Kurti! Politikës së jashtme së Kosovës i është shuar vullneti dhe tharë energjia e mbrojtjes së interesit shtetëror. Aty ku me dekada Serbia ishte e izoluar, me qeverinë Kurti, i janë hapur dyert në tërë botën, sikurse asocimi i shpejt i Serbisë në ASEAN, organizatën më të madhe në Azi! Natyrisht, këtu për tërheqjet e njohjeve nga Azia, se as që mund të bëhet fjalë për të marrë njohje të reja! Si e sheh Evropa Kosovën, nuk tregojnë recitimet në Forumet Alpbach dhe Bled, por kërcënimet për heqjen e liberalizimit të vizave nga Parisi dhe Berlini!”, ka thënë ish-kryediplomati Hoxhaj.