Lajme

Hoxha: Policia e Kosovës është model i suksesit për rajonin dhe më gjerë

By GAZETA SCANNER

September 06, 2024

Në shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, drejtori i këtij institucioni, Gazmend Hoxha, deklaroi se për këto 25 vjet, policia ka dëshmuar se është një institucion i ndërtuar mbi themele të forta, me një mision fisnik të mbrojë dhe të shërbejë.

Ai shtoi se që nga ditët e para të themelimit, policia ka qene dhe vazhdon të jetë gardiane e rendit, ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë.

“Për 25 vjet policia është përballur me sfida të shumta, por gjithmonë ka triumfuar mbi to. Në këto 25 vjet policia ka arritur një nivel të lartë të profesionalizmit dhe bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke qene një model i suksesit për rajonin dhe më gjerë”, shtoi Hoxha gjatë fjalimit të tij në ceremoninë festive, duke theksuar se e çmojnë dhe vlerësojnë kontributin dhe sakrificën e të gjithë zyrtarëve policorë.

Më tej kreu i policisë u shpreh se Policia e Kosovës është organizatë profesionale dhe se duke respektuar diversitetin gjinor dhe etnik, menaxhmenti i këtij institucioni i kushton një rëndësi të veçantë proceseve të rekrutimit duke inkurajuar sikurse femrat ashtu edhe minoritetet që t’i bashkohen.

“Policia e Kosovës nuk është thjesht një institucion. Ajo është një simbol i përkushtimit për paqen dhe sigurinë, si dhe i rolit të saj të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat që do të vijnë. Sot ky institucion sot është një forcë e respektuar dhe e besuar nga qytetarët”, deklaroi drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.