Lajme

Hoxha: Kurti si opozitar mendonte se Kosova është po aq e fortë sa Turqia, Spanja apo Italia

By GAZETA SCANNER 1

July 04, 2024

Analisti politik Ylli Hoxha ka komentuar qëndrimin në zhvillim të kryeministrit Albin Kurti për marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara. Duke folur në “Debat Plus”, Hoxha theksoi kontrastin e thellë mes mendimeve të Kurtit si lider opozitar dhe qasjes së tij pas marrjes së detyrës.

Fillimisht, sipas tij, Kurti e perceptoi ndikimin gjeopolitik të Kosovës në të njëjtin nivel me vendet si Turqia, Spanja dhe Italia. Megjithatë, Hoxha konsideron se me ardhjen e tij në qeveri, botëkuptimi i Kurtit është bërë më i nuancuar dhe më real në kontekstin e ndikimit të Kosovës në skenën globale, duke e bërë atë një lider më të përgjegjshëm.

“Problemi i Kurtit në atë kohë, ka qenë perceptimi i rolit të Kosovës në marrdhënie ndërkombëtare, në atë kohë Kurti ka mendu se Kosova është sa Turqia e fortë, dhe parametrat e dialogut i ka vendosur… ose sa një shtet tjetër i madh Spanja, Italia. Duke qenë në Qeveri ka kuptu se ajo përmas nuk është reale, dhe është shndërru në një politikan më të përgjegjshëm”, tha ai.