Lajme

Hovenier: Sistemi i drejtësisë në Kosovë, shpesh shqipton dënime të buta

By GAZETA SCANNER 1

November 22, 2024

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier derisa ka folur në lansimin e Udhëzuesit për Matjen e Dënimit nga Gjykata Supreme ka thënë se dënimi është ndër fazat më të rëndësishme të drejtësisë penale. Diplomati amerikan tha se raportet ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se sistemi i drejtësisë ende shumë shpesh shqipton dënime të buta dhe jo-proporcionale.

“Dënimi është ndër fazat më të rëndësishme të drejtësisë penale dhe udhëzuesi i përgjithshëm do të ofrojë një kornizë të qartë për shqiptimin e dënimeve për shkeljet penale në Kosovë. Siç e dëgjuam, Kosova para 6 vitesh ka miratuar udhëzuesin e parë për matjen e dënimeve dhe zyrtarët e sistemit të drejtësisë së Kosovës vazhdojnë të jenë shembull për vendet e rajonit. Ky është vetëm hapi i parë, sepse siç e dini e gjithë puna e vështirë fillon tani. Duhet të bëhet gjithë ajo punë që ky udhëzues të jetë real dhe të hyjë në fuqi, sepse raporte ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ende shumë shpesh shqipton dënime të buta apo jo proporcionale, duke theksuar nevojën urgjente që ky udhëzues të zbatohet plotësisht”, ka theksuar Hovenier.