Ballina

Hovenier: Po të ishte Qeveria më bashkëpunuese me ShBA do të ishte anëtarësuar në Këshillin e Evropës

By GAZETA SCANNER

December 20, 2024

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka folur në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Hovenier ka thënë se po të kishte Qeveria e Kosovës më shumë bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të ishte tashmë e anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“Mendoj se mund të kishit një trajktore më të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Është një rrugë e vështirë dhe e gjatë, mendoj se do të ishim në një vend më të mirë për të avokuar më fuqishëm për afrimin e Kosovës në marrëdhëniet e saj me NATO-n. Këto janë dy gjerat që po i them hapur. Mendoj se Kosova do të ishte anëtare e Këshillit të Evropës.” – ka thënë Hovenier në Klan Kosova.

Ai gjithashtu gjatë kësaj interviste ka konfirmuar se ka pasur dallime serioze me Qeverinë Kurti.

“Është plotësisht e vërtetë që nganjëherë kemi pasur disa dallime, madje dallime serioze, me këtë Qeveri dhe mendoj se kjo ka pasur ndikim. Por kjo nuk është çështje e Shteteve të Bashkuara dhe e Kosovës, kjo është një çështje, do të thosha, e miqve të Kosovës. Pikërisht këtë javë, Bashkimi Evropian, Këshilli për Çështjet e Përgjithshme doli me konkluzionet e tij që gjithashtu folën për shpresat e tyre për Kosovën dhe çka shpresojnë dhe dëshirojnë të shohin”.