Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas paralajmërimeve të SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës.
Ai ka thënë se mesazhet e tyre janë që Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, mund t’i vazhdohen sanksionet nga BE-ja dhe Kosova mund të përjashtohet nga CEFTA.
Hoti ka përmendur edhe përfitimet e Serbisë nga këto shtetet teksa ka kritkuar ashpër Qeverinë e Kosovës.
“Përgjegjësi për këtë situatë të krijuar dihet. Përgjigjen duhet ta japin qytetarët në procesin demokratik të ardhshëm.” – thuhet në shkrimin e Hotit në Facebook.
Shkrimi i plotë:
Mesazhet shqetësuese për Kosovën nga aleatët kryesorë, në veçanti nga SHBA-ja, Gjermania dhe Franca, duhet ta shqetësojnë secilin qytetar dhe secilin përfaqësues të partive politike, pozitë dhe opozitë.
1. Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, i cili është mekanizmi formal i përgatitjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, për të cilin proces qeveritë e kaluara kanë punuar shumë, me pasoja tepër të mëdha në dinamikën e integrimit evropian dhe pjesëmarrjen në planin e rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
2. Kosovës mund t’i vazhdohen sanksionet nga BE-ja, me pasoja prej qindra miliona euro në projekte të energjetikës, ujësjellësit, infrastrukturës etj.
3. Kosova mund të përjashtohet nga CEFTA, me pasoja të mëdha në importe dhe eksporte të Kosovës, duke rënduar koston e shumë mallrave të konsumit për qytetarë dhe shtrenjtuar eksportet e Kosovës në tregjet rajonale.
Të tre këta aleatë, të cilët garantojnë sovranitetin e Kosovës përmes trupave të tyre në KFOR krahas vendeve të tjera të NATO-s, kanë hyrë në marrëveshje strategjike me Serbinë: SHBA-ja për energjetikë, Gjermania për litium dhe Franca për aeroplanë ushtarak.
Si u bë që në fund të qeverisjes 4-vjeçare të kemi këtë situatë?!
Si u bë që dialogu i nisur për njohje reciproke të përfundojë në dialog për asociacionin?!
Si u bë që kërkesat e krerëve të shteteve aleate drejtuar Kosovës dhe Serbisë për angazhim në dialog për njohje reciproke, të ndryshojnë në kërkesa për themelim urgjent të asociacionit?!
Përgjegjësi për këtë situatë të krijuar dihet. Përgjigjen duhet ta japin qytetarët në procesin demokratik të ardhshëm.