Lajme

Hoti deklarohet për dënimin e mërgimtarit që e kanosi

By GAZETA SCANNER 1

August 08, 2023

Deputeti i Lidhjes Demokratike Avdullah Hoti, ka reaguar pas dënimit me gjobë 2 mijë euroshe, ndaj mërgimtarit Reshat Sadiku, për kanosje ndaj tij.

Hoti me anë të një postimi në Facebook shkruan me këtë rast për gjuhën kërcënuese e fyese që po përdoret nëpër rrjetet sociale.

“Sot, është mbajtur seanca lidhur me rastin në fjalë dhe gjykata vendosi për dënimin e të akuzuarit për këtë vepër. Pranova marrëveshjen që ka bërë prokuroria dhe avokati i të pandehurit me kushtin që i njëjti të kontriboj në njërën nga organizatat bamirëse në vend. Gjuha e urrejtjes që po përdoret tash e shumë vite nëpër rrjete sociale dhe gjithandej është shqetësuese. Partia që tani është në pushtet për vite me radhë e ka ushqyer këtë gjuhë përçarëse, fyese, denigruese dhe kërcënuese”, ka shkruar Hoti në reagimin e tij në Facebook.

Reagimi i plotë:

Të nderuar miq,

Gjuha e urrejtjes që po përdoret tash e shumë vite nëpër rrjete sociale dhe gjithandej është shqetësuese. Partia që tani është në pushtet për vite me radhë e ka ushqyer këtë gjuhë përçarëse, fyese, denigruese dhe kërcënuese.

Ndihem i obliguar për të informuar të gjithë opinionin publik për rastin që sot është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me kanosjen që më është bërë muaj më parë. Sot, është mbajtur seanca lidhur me rastin në fjalë dhe gjykata vendosi për dënimin e të akuzuarit për këtë vepër. Pranova marrëveshjen që ka bërë prokuroria dhe avokati i të pandehurit me kushtin që i njëjti të kontriboj në njërën nga organizatat bamirëse në vend.

Kërcënimi i bërë nuk është personal por si zyrtar i shtetit për qëndrimet politike që kam si deputet dhe ish-Kryeministër. Prandaj, i bëj thirrje të gjithë atyre që bëhen pjesë e kësaj fushate linçuese të ndalojnë sepse do të përballen vetëm me ligjin, sepse qëndrimet për të vërtetën e bazuar në fakte dhe kauza për të mirën e vendit dhe popullit, nuk do të mund ta ndalin me kërcënime dhe me asgjë tjetër.

Republika e Kosovës është e përhershme dhe do ta mbrojmë nga çdo kërcënim për ta sulmuar atë.

Falënderoj policinë dhe gjykatën për punën e tyre dhe përkushtimin për të sjellë drejtësi.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin tonë!

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=838214697666046&id=100044325704635&mibextid=Nif5oz