Lajme

Hill: Ky është momenti kyç, është vështirë, por presim zbatimin e marrëveshjes

By GAZETA SCANNER 1

April 10, 2023

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit, si dhe marrëveshjet e tjera ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë arritur lehtë, duke theksuar se ka ardhur momenti kur pritet zbatim konkret.

Ai gjithashtu tha se është arritur një moment kyç zbatimi, të cilin e vlerësoi si një moment të vështirë.

“Sa i përket marrëveshjes së Ohrit dhe marrëveshjeve të tjera, nuk kam thënë për asnjë moment se ishte diçka e lehtë dhe se do të ishte e lehtë, por mendoj se kemi arritur një moment vendimtar në kuptimin që duhet të presim që diçka të ndodhë në aspektin e zbatimit. Ky është një moment i vështirë, por mendoj se është një moment plot shpresë. Ne presim zbatimin në të ardhmen”, tha Hill.

Ambasadori Hill tha se çështja e Kosovës duhet parë si çështje rajonale në kontekstin e Ballkanit të Hapur.

Siç tha ai, në këtë iniciative vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke bashkëpunuar.