Lajme

“Heqja e vizave duket se është e ndërlidhur me dialogun”

By GAZETA SCANNER 1

November 29, 2022

Njohësi i zhvillimeve politike, Shqiprim Pula, tha se edhe pse asnjëherë zyrtarisht nuk është thënë nga Brukseli që heqja e vizave është e lidhur me rezultatet e dialogut, sipas tij, në praktikë duket të jetë i tillë.

Këtë deklaratë ai e dha duke komentuar futjen në rend dite çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në takimin e nesërm të ambasadorëve të Bashkimit Evropian.

“Ne jemi koshient karshi zhvillimeve politike, jo vetëm në vend por edhe më gjerë dhe nëse shikohet nga prizmi i Brukselit zyrat natyrisht që ata kanë percjellë se sa shpejt po ecim në hapa përsa i takon çështjes së dialogut Kosovë – Serbi dhe përmbylljes së temave të mbetura hapur. Asnjëherë në asnjë rast formalisht, zyrtarisht nuk është thënë nga Brukseli zyrtar që heqja e regjimit të vizave është i lidhur me rezultatet e dialogut, por që në praktikë duket të jetë se ka pasë një ndërlidhshmëri të tillë që fatkeqësisht nuk do të duhej të ishin të tilla sepse janë procese të ndara”, tha ai.

I ftuar në emisionin “Ditari” në tëvë1 theksoi se pjesa e rrugëtimit të Kosovës drejt rrugëtimit evropian ka filluar qysh në vitin 2003 kur edhe janë dhënë udhëzuesit praktik.

“Ajo çfarë është historike ka të bëjë me raportet ndërrmjet dy popujve dhe shteteve Kosove – Serbi ndërkaq pjesa e rrugëtimit tonë drejt rrugëtimit evropian është një proces i ndarë. Ky proces ka fillu qysh nga viti 2003 në Selanik atëherë ku rjanë dhënë programet dhe udhëzuesit praktik mbi hapat që duhet ndjekur gjithë Ballkani Perëndimor për sa i takon integrimit në Union Evropian, mirëpo lidhshmëria lidhur me rezultatatet e temës së bisedimeve është një ngarkesë jo vetëm politike, jo vetëm ekonomike në kuptimin e zhvillimit dhe shkëmbive tregtare, por edhe psikologjike karshi qytetarëve të vendit’, tha ai.

Pula madje e quajti torturë psikologjike izolimin për kaq gjatë të qytetarëve të Kosovës

“Unë madje do e quaja një lloj torture psikologjike sepse mbajtja kaq gjatë e izolimit të qytetarëve të Kosovës për të evitu jetësimin e një nga parimeve bazë mbi të cilat edhe është ndërtu Unioni Evropian ajo që ka të bëjë me qarkullimin e lirë të qytetarëve “, shtoi ai.

Miratimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të jetë të mërkurën në rend dite në takimin e ambasadorëve të BE-së, në Bruksel.

Në takimin e këtij grupi, të njohur si COREPER, vendimi pritet të miratohet pa diskutim, pasi për tekstin e tij, vendet anëtare të BE-së janë pajtuar më 22 nëntor, në një takim të këshilltarëve për çështje të brendshme dhe drejtësi.