Op/Ed

Helmimi i përditshmërisë dhe heshtja e perspektivës zhvillimore

Shkruan: Agron Hoti

Përderisa opinionet publike në Kosovë e Shqipëri kontaminohen me çorodira se kush na qenkësh politikani më i mirë apo më i keq, se kush llomotit më së miri ose më së keqi para publikut, askush në anën tjetër s’flet se ç’përfiton Kosova dhe Shqipëria nga Plani Ekonomik dhe Investiv i BE-së për Ballkanin Perëndimor i datës 6 tetor 2020, i cili radhit këto megaprojekte:

  1. “Autostrada e Paqes” në Kosovë (që lidh Prishtinën me Nishin në Serbi) do të përfundojë me seksionin e Serbisë në mënyrë thelbësore të avancuar;
  2. Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë do të përfundojë. Ky projekt ka një ndikim të lartë ndërkufitar dhe përmirëson kushtet e jetesës së popullatës;
  3. Rruga Hekurudhore që lidh Beogradin me Prishtinën do të modernizohet më tej përmes punëve ndërtimore në Kosovë dhe përgatitje të dokumentacionit të nevojshëm teknik për punët rehabilituese në Serbi;
  4. Do të përshpejtohen përgatitjet për ndërtimin e Fazës 2 të Hidro Sistemit Ibër-Lepenc në Kosovë;
  5. Ndërlidhja e gazit Maqedonia e Veriut – Kosova dhe shtrirja e investimit tashmë të vazhdueshëm të interkonektorit Maqedonia e Veriut – Greqi, do të fillojë ndërtimin;
  6. Rruga Hekurudhore 2 që lidh kryeqytetet e Tiranës dhe Podgoricës dhe shtrihet deri në Portin e Durrësit është një projekt kyç për rajonin dhe do të zgjerohet përmes rehabilitimit të 120 km të linjës hekurudhore në Shqipëri drejt kufirit me Malin e Zi;
  7. Hapa të mëdhenj do të ndërmerren për të përfunduar “Autostradën Blu” përgjatë bregdetit nga Kroacia deri në Greqi: bypassi i rrugës së Tiranës do të përfundojë dhe dy seksione të tjera në Shqipëri plus bypassi i Budvës në Mal të Zi do të përparojnë në mënyrë thelbësore;
  8. Rehabilitimi i Hidrocentralit të Fierzës në Shqipëri do të përfundojë, dhe ndërtimi i Hidrocentralit Skavica do të avansojë në mënyrë që të rrisë potencialin për vendin dhe përfundimisht rajonin me qëllim rritjen e eksportit të energjisë elektrike nga energjia e pastër;
  9. Si pjesë e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), ndërtimi i gazsjellësit Fier-Vlorë në Shqipëri do të përfundojë dhe tubacioni Jon-Adriatik (IAP) përgjatë bregdetit do të ketë përparësi, duke lehtësuar një diversifikim të madh të burimeve të furnizimit me gaz në Ballkanin Perëndimor rajoni dhe më gjerë;
  10. Do të krijohen sisteme të integruara të menaxhimit rajonal të mbetjeve në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, të cilat shkojnë paralelisht me mbylljen e deponive pa standarde. Investime të ngjashme diku tjetër në rajon duhet gjithashtu të mbështeten në të ardhmen, duke përfshirë menaxhimin më të mirë të mbeturinave në zonat ndërkufitare;
  11. BE-ja së bashku me institucionet financiare ndërkombëtare do të mbështesin përpjekjet e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të trefishuar normën aktuale të rinovimit dhe kursimet e energjisë në ndërtesat ekzistuese dhe arritjen e standardit gati zero të energjisë dhe emetimit në ndërtesat e reja;
  12. Pastaj, si Kosova ashtu edhe Shqipëria ashtu sikurse tërë rajoni, do të përfitojnë shumë nga investimet e BE-së në infrastrukturë dixhitale, konkurueshmëri dhe mbështetje të të rinjëve të rajonit.

Në këtë plan nuk janë të përfshira fondet vjetore të BE-së që jepen në baza bilaterale përmes Delegacioneve të BE-së nëpër Vende të Ballkanit Perëndimor si dhe shumë projekte të Kornizës Investive të Ballkanit Perëndimor (WBIF) të BE-së, nuk janë të përfshira pastaj donacionet dhe investimet e vendeve të ndryshme të BE-së në baza bilaterale, nuk janë të përfshira donacionet dhe investimet e SHBA-së dhe akterëve jo-evropianë (si. p.sh. Turqia, Vendet e Golfit, Kina, etj.), si dhe nuk janë të përfshira investimet e vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në vend që të nxiten debate mbi rëndësinë zhvillimore të Kosovës dhe Shqipërisë përmes këtyre megaprojekteve, ne kemi zgjedhur të merremi kryesisht me punë të kota që i helmojnë përditshmërinë qytetarit.