Sport

Hazrollaj shpallet “Ylli i Javës”

By GAZETA SCANNER 1

February 26, 2024

Sulmuesi i krahut, Drilon Hazrollaj është shpallur futbollisti më i mirë për xhiron e 22-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Hazrollaj, i cili është pjesë e skuadrës së Malishevës, të hënën ka pranuar çmimin “Ylli i Javës”, i cili ndahet pas përfundimit të secilës xhiro për lojtarin më të mirë.

Vlerësimin e më të mirit për xhiron që u mbyll të dielën, e ka bërë një komision i veteranëve të futbollit, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).

Komisioni ka vlerësuar se Hazrollaj ishte protagonist kryesor në fitoren e Malishevës me rikthim të rezultatit kundër Feronikelit ’74. Hazrollaj shënoi dy gola për t’ia siguruar Malishevës fitoren me rezultatin 2:1. Për Hazrollajn, i cili po shkëlqen këtë edicion në elitën e futbollit kosovar, kjo është hera e dytë që shpallet më i miri i xhiros.

“Ndjehem shumë i lumtur dhe falënderoj bashkëlojtarët e shtabin teknik, pasi më ndihmën e tyre arrita të kem një performancë të mirë. Uroj që edhe në vazhdim të kampionatit të kemi një ecuri pozitive dhe si ekip të arrijmë objektivat”, ka thënë ndër të tjera Hazrollaj për faqen zyrtare të FFK-së.

Aktualisht, Hazrollaj ka 12 gola dhe 5 asistime deri më tani në Superligë, ndërsa Malisheva është e katërta në tabelë me 38 pikë pas 22 xhirove të zhvilluara.