Lajme

Haziri për takimin në Bruksel: Sa për të ndodhur, mungon vullneti politik

By GAZETA SCANNER 1

October 25, 2024

“Takim sa për të ndodhur”, e ka cilësuar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, takimin e nivelit të kryenegociatorëve gjatë të enjtes në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një prononcim për Express, Haziri tha se përkundër 3 kushteve të Kurtit dhe 7 kushteve të Vuçiçit, procesi i dialogut po vazhdon të mirëmbahet dhe të mos zbatohet asnjë obligim që i kanë palët sot.

Takim sa për të ndodhur, në parimin e njëjtë ‘jemi marrë vesh për t’u mos marrë vesh. Serbia është kushtëzuar me hapjen e kapitullit 35, ndërsa Kosova po mbahet në sanksione financiare”, deklaroi Haziri.

Ky proces sipas Haziri po rezulton pa asnjë marrëveshje, shkaku i mungesës së vullnetit politik, për t’i shtyrë çështjet përpara.

“Nga një pozicion strategjik i Kosovës për ta mbyllur marrëveshjen gjithëpërfshirëse si interes kapital për të realizuar mbylljen e shtetësisë së Kosovës, në një menaxhim të situatave dhe nga një proces normalizimi është përkthyer në proces të menaxhimit të krizave”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës është futur me mosbesim në këtë proces, ka thënë nënkryetari Lutfi Haziri.

“Mandej është konvertuar në një agjendë e cila menaxhon situata të krizave dhe asgjë më shumë. Ky proces tash e 4 vite më shumë ka prodhuar situata të krizave sesa që ka prodhuar mirëbesim dhe vullnet politik për të implementuar obligimet e palëve të arritura nga marrëveshjet Kurti-Vuçiç, më 27 shkurt 2023 dhe 17 mars 2023.