Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një intervistë ka folur për gatitshmërinë e kryeministrit rreth zgjedhjeve të reja.
Haziri thotë se LDK-ja është e gatshme që sot për zgjedhje, por sipas tij, hapi i duhur që vendi të shkojë në zgjedhje është dorëheqja e kryeministrit Kurti.
“Krejt çka thotë kryeministri Kurti për zgjedhje, është në rrafshin e manipulimit të fjalëve dhe ndjenjave të qytetarëve në lidhje me një proces zgjedhor që pritet. Ne jemi të gatshëm që sot, akti i dorëheqjes është akt moral, politik dhe akt që mund të hap rrugë shumë shpejt”, tha Haziri.
Sipas Hazirit, raporti i fundit i publikuar rreth Departamentit Amerikan të Shtetit, e ka bërë të vështirë për Kurti që të kërkojë sa më shpejt zgjedhje.
“Këtë politikë e ka vështirësuar raporti i DASh-it, sepse në një kohë ku nënvizohen shqetësimet e LDK-së dhe të qytetarëve të Kosovës për korrupsion, ndikim të gjyqësorit, për frikësim të gazetarëve, kur ka 1 milionë probleme brenda, raporte të këqija me BE-në, NATO e ShBA, do të jetë shumë e vështirë për Kurtin që të vendos për një proces zgjedhor më të shpejt”, tha Haziri.
Madje, Haziri ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dalin situata që sipas tij, janë shokuese, veçanarisht për besimtarët politik të Kurtit, madje edhe përata që e kanë ndryshuar bindjen politike.
“Të gjithë krahët e kësaj qeverie janë futur në thesin e qytetarëve të Kosovës, çdo ditë e më shumë kanë me dal situata që do të jenë shokuese dhe do të zbardhen. Pra, do të shokohen besimtarët politik të Kurtit, por mbi të gjitha ata që e kanë ndryshuar bindjen politike. Në të gjitha situatat politike, Kurti ka bërë një hapa para, dy mbrapa. Ndërkombëtarët e kanë kuptuar që Kurti është kokëfortë, por në fund bën kompromise, madje kompromise të këqija”, tha Haziri. /Blic/