Lajme

Haziri: Kurti ka ndryshuar metodat, por jo qëllimin

By GAZETA SCANNER 1

January 02, 2024

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kritikuar kryeministrin Kurti, duke thënë se pavarësisht ndryshimeve në metodat e qeverisjes, qëllimi i vërtetë nuk ka ndryshuar.

Ai ka bërë thirrje për ndryshime të dukshme, por ka theksuar se ky ndryshim vjen përmes procesit zgjedhor, duke e cilësuar atë si mjetin kryesor për të konfirmuar legjitimitetin politik.

Haziri ka shprehur gatishmërinë e LDK-së për të hyrë në këtë proces dhe, sipas tij, kthehet në një qëllim të qartë: përmirësimin e imazhit të Kosovës te partnerët ndërkombëtarë përmes politikave të tyre.

Tutje, Haziri ka shprehur shqetësimin e tij ndaj mosveprimit të Qeverisë në lidhje me draftin e Asociacionit.

Duke thënë se po quhet si “model evropian” për Kosovën, ai ka akuzuar Qeverinë për mosdërgim të komenteve, duke shtuar se partnerët ndërkombëtarë presin përfundimin e kësaj faze sa më shpejt.

Ai, po ashtu, ka shprehur shqetësimin për një pako të dytë të masave ndëshkuese për Kosovën nga BE-ja, duke theksuar dështimin e Qeverisë në përfundimin e obligimit për draftimin e statutit në një kohë të arsyeshme.

“Mosveprimi i Qeverisë ka bërë që draft-statuti të përgatitet nga ekspertët e BE-së. Po quhet model evropian për Kosovën dhe është në fazën e komenteve nga Kosova dhe Serbia. Tani po thuhet se Qeveria dhe kryeministri ynë nuk kanë dërguar as komente, e në anën tjetër partnerët ndërkombëtarë pritjen e kanë që kjo fazë të kryhet sa më shpejt dhe procesi të ecë përpara, sepse BE dhe ShBA nuk kanë kohë për shkak të zgjedhjeve. Deri tash dihet se Kosova është nën masa ndëshkuese dhe, nëse vazhdon kështu, pritet edhe pako e dytë e masave ndëshkuese”, ka thënë Haziri për Dukagjinin.