Ballina

Haziri: Kurti e Osmani manipulojnë me rrezikun e sulmeve nga Serbia

By GAZETA SCANNER 1

January 02, 2024

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, lidhur me deklaratat e fundit të presidentes Vjosa Osmani dhe të kryeministrit Albin Kurti, për sulmet e mundshme nga Serbia, ka shprehur shqetësimin e tij për faktin se në një vend që ka përjetuar rreziqe dhe tensione të mëdha nga Serbia në të kaluarën, tani po flitet shumë për mundësinë e një sulmi të ri.

Ai ka vlerësuar se deklaratat e Osmanit dhe të Kurtit janë pjesë e një përpjekjeje për manipulim dhe për të shpërndarë vëmendjen e publikut nga problemet e tjera, me të cilat po përballet vendi.

“Në një vend që flitet më shumë për luftë sesa për paqe, është për keqardhje. Ne, në kohët më të errëta të vendit tonë, kur kemi pasur rrezikun më të madh nga Serbia, kemi folur e punuar për paqe. Kemi bërë rezistencë për një dekadë. Tani, në një shtet të pavarur e sovran, të pranuar nga bota më e civilizuar demokratike, të flitet vetëm për luftë, në kohën kur organet e sigurisë, FSK-së dhe AKI-së janë në punën e tyre, është manipulim dhe tendencë për ta hequr vëmendjen e popullit nga problemet e tjera”, ka deklaruar Haziri për Dukagjinin.