Ballina

Haziri falënderon Isufajn “që nuk ra në grackën e politikës për një aktakuzë të përshpejtuar”

By GAZETA SCANNER 1

September 12, 2024

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se ata që, sipas tij, shfrytëzojnë ngjarjet tragjike për përfitime politike, duke paralajmëruar se ata do të demaskohen me kalimin e kohës.

Në një postim në Facebook, Haziri e lidh këtë sjellje me përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, duke e krahasuar me ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë.

“9/11 i Kosovës, në dimensionin tonë është 9/24, për nga natyra dhe qëllimi i terroristëve. Shpirti i rreshterit Afrim Bunjaku bën dritë sepse ai parandaloi të keqen e madhe për Republikën që e deshi deri në flijim. Prokurori dhe polici Kosovës janë të vetmit që sakrificën e tij po e çojnë në vend me drejtësi

Faleminderit deri në gjunjëzim vetëm këtyre.

Ata që po palohen para të vrarëve dhe po krekosen para të gjallëve për konsum politik, herët a vonë u del boja!”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Haziri vlerësoi punën e kryeprokurorit të Speciales, Blerim Isufaj, dhe të hetuesve, si dhe punën e Policisë së Kosovës dhe inteligjencës së vendit. Ai theksoi se, falë koordinimit me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-në, Kosova arriti të neutralizojë sulmin.

“9/11 u përkujtua dje dhe nuk është rastësi që në këtë datë Kryeprokurori i speciales, Blerim Isufaj, ngriti aktakuzën në rastin e sulmit terrorist në Manastrin e Banjës. Tregoi profesionalizëm deri në detajin e fundit, hetoi e hulumtoi çdo skutë të errët që ideoi, përgatiti, planifikoi dhe sulmoi Kosovën në një natë të errët më 24 shtator.

Kosova nuk arriti ta parandalojë, por fal njësive elitare të policisë së shtetit, inteligjencës së vendit dhe koordinimit me aleatët, e ne veçanti SHBA, arriti ta neutralizojë sulmin dhe ta eleminojë sulmin terrorist, ku përveç të vrarëve, ka të burgosur dhe tashmë është më aktakuzë për terrorizëm, qindra pjesëtar nga Kosova e jashtë saj”.

Haziri theksoi se falënderimi për Isufaj dhe hetuesit është që nuk ranë në grackën e politikës dhe presionit për një aktakuzë të shpejtë dhe të pabazuar.

“Falënderimi për z.Isufaj dhe hetuesit është që nuk ranë në grackën e politikës dhe presionit të tyre për një aktakuzë të shpejtë që del nga Raport i zyrave të qeverisë, të cilët na bënë horë kur e kanë dërguar nëpër Europe, duke menduar qe e kanë gjetur fajtorin dhe tash duhet vetëm ekzekutimin ta bëjnë. Raport me të cilin besonin vetëm ata, por profesionalizmi i prokurorëve dhe njësive elitare zbardhi imazhin e Kosovës para aleatëve dhe e shpëtuan Kosovën”, ka shtuar Haziri.

“Aktakuzë me fakte e gjetje që tani gjykata duhet të garantojë drejtësi dhe profesionalizëm, si snajperisti që nuk fali, si polici që nuk goditi pas shpines se atyre që iknin me bisht nën këmbë, por edhe prokurori që nuk lejoji improvizim por vetëm fakte dhe fakte të gjetura dhe te dëshmuara”.