Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e përfundoi sot intervistimin në Prokurorinë Speciale, i cili nisi dje.
Ajo u ftua të shkonte te organi i akuzës për t’iu përgjigjur disa pyetjeve pas një deklarate të saj se disa raste të arratisjeve nga burgjet e Kosovës “janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.
Pas intervistimit, ajo tha para gazetarëve se u shokua nga pyetja e një prokurori, ndërsa insistoi se s’ka thënë se “Serbia ka ndikim në burgjet e Kosovës”.
“Është e habitshme, madje shokuese, që njëra nga pyetjet që më është parashtruar sot, që është pyetje e prokurorit të rastit që e adreson përmes policisë, ndërlidhet si “çka ke menduar ti me ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës?”. Ju lutem shumë, ndoshta mundeni edhe tani, të hyni në rrjetin social Facebook dhe ta shihni nëse kam përmendur ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës”, tha Haxhiu.
Ajo tha se “këtë e ka thënë PDK-ja dhe ca analistë”, me qëllim për ta “keqinformuar opinionin”.
“Kjo nuk qëndron. Kjo është shpifje. Ky është thashethem. Këtë e ka thënë PDK-ja dhe ca analistë në studio televizive. Unë asnjëherë s’kam thënë që Serbia ka ndikim në burgjet e Kosovës. Këtë e ka thënë PDK-ja përmes konferencës për media, siç e dini, dhe po ashtu ca analistë të cilët qëllimshëm kanë keqinformuar opinionin për reagimin tim në rrjetin social, në këtë rast në rrjetin social Facebook. Pra, si ka mundësi që prokurori vjen me një pyetje të cilin unë s’e kam thënë asnjëherë. Duket që nuk e ka lexuar fare reagimin tim në rrjetin social Facebook, por vetëm është marrë me atë çka ka deklaruar opozita, në këtë rast PDK-ja dhe ca analistë”, tha Haxhiu.
Haxhiu të shtunën ka shkruar në Facebook se ka informacione se disa raste të arratisjeve “janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.
Ajo shkruante se “ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës” dhe se “shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior”.
Në të njëjtin postim, ajo shkroi se “një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës”. Si ministre e drejtësisë, ajo tha se do të ofronte “bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim”.
Haxhiu tha paraprakisht se reagimi i saj në Facebook “nuk vie si një deklarim i një mendimi timin personal”.
“Patjetër që është edhe mendim i imi, por vjen pas takimeve të shumta që i kemi pasur sidomos pas largimit të Faton Hajrizit nga qendra korrektuese në Smrekonicë”, tha ajo.
Pas këtij rasti, ajo tha se “kemi mbledhur të gjitha institucionet” dhe se reagimi i saj erdhi “pas diskutimeve që ne i kemi pasur me organet përgjegjëse”.
Ministrja u ankua për qasjen e Prokurorisë Speciale, ndërsa hodhi dyshime për “motivet që mund t’i kenë”.