Qytetarë të shumtë po zgjedhin të largohen nga Kosova.Në mes e tyre bëjnë pjesë edhe profesionistë shëndetësorë, e cila është një gjë shqetësuese.
Lidhur me ikjen e mjekëve, ka folur deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, njëherësh anëtar i Komisionit për Shëndetësi. Ai thotë se kjo dukuri është shqetësuese, e po ashtu shqetësues është edhe mos veprimi i Qeverisë për ta parandaluar ikjen e tyre, derisa është numër i lartë.
“Ikja e mjekëve dhe profesionistëve tjerë shëndetësor nga Kosova po shndërrohet në dukuri shqetësuese për sistemin tonë shëndetësor. Jam i shqetësuar me mos veprimin e Qeverisë për të parandaluar dukurinë e ikjes se mjekëve dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë nga Kosova, kur dihet se në vitin 2022 janë mbi 1200 profesionistë shëndetësorë që kanë ikur nga Kosova: mjekë, stomatolog, farmacistë, fizioterapeutë, infermierë, mami, radiologë, teknik mjekësor, etj”, thotë ai.
Haxhiu thekson se trendi i ikjes është në rritje këtë vit dhe se problemi nuk po trajtohet me prioritet, teksa shton se nëse nuk ndërmerren masa në një periudhë të shkurtër kohore, do të mbesim pa specialistë te mjekësisë dhe do të kemi dhe mbyllje të klinikave të caktuara.
“Kjo dukuri po vazhdon me trend të rritjes edhe në vitin 2023 dhe Qeveria këtë problem nuk është duke e trajtuar as me seriozitet dhe as me prioritet. E kam thënë edhe më parë, se nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme dhe nuk miratohet strategji mbështetëse për profesionistët shëndetësorë, brenda një periudhe të shkurtër në sektor të caktuar të shëndetësisë do të mbesim pa specialistë të mjekësisë dhe klinika të caktuara do të mbyllen pas disa viteve, në mungesë të kuadrit shëndetësor”, vlerëson deputeti për Gazeta Blic.
Ai potencon se në dy vitet e fundit, kemi 22 anesteziologë më pak në sektorin publik.
“Vetëm gjatë dy viteve të fundit kemi 22 anesteziologë më pak në sektorin publik, disa anesteziologë ikën jashtë vendit, disa kaluan në sektorin privat sepse Qeveria nuk e trajtoi me seriozitet këtë problem, për më keq disa nga anesteziologët Qeveria i emëroi në pozita udhëheqëse në shëndetësi, duke i larguar nga kujdesi klinik dhe pjesëmarrja në operacione, duke renduar kështu edhe më shumë situatën me mungesë të anesteziologëve, duke i demotivuar ata që punojnë në sektorin publik”, deklaron deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.