Lajme

Haxhiu: Opozita po i pengon reformat në drejtësi, për t’i mbajtur njerëzit e vet brenda

By GAZETA SCANNER 1

February 16, 2024

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se opozita po i pengon reformat në drejtësi duke shtuar, se kjo po ndodh për t’i mbajtur njerëzit e vet brenda sistemit të drejtësisë në mënyrë që t’i çojnë përpara interesat e tyre.

“A e kuptoni rezistencën e madhe që po ndodhë kundrejt reformave nga opozita? Jo vetëm që këtë e kundërshtojnë njerëz nga sistemi i drejtësisë, por sidomos opozita. Jam shumë e bindur që arsye për këtë janë që t’i ruajnë individët që i kanë brenda sistemit dhe që të arrijnë t’i shtyjnë interesat që i kanë pasur në vazhdimësi.” – ka thënë Haxhiu në Tëvë1.

Ajo tutje ka shtuar se reforma në Këshillin Prokurorial është e domosdoshme.

“Te Këshilli Prokurorial që është po aq e rëndësishme si reformë tashmë kemi tri opinione te Komisionit të Venecias për çështjen e Këshillit Prokurorial. Sepse, ne kemi synuar që ta zbatojmë strategjinë për sundimin e ligjit në mënyrë që ta ulim numrin e anëtarëve në Këshillin Prokurorial nga 13 në 7. Sepse, është evidentuar edhe nga Komisioni i Venecias edhe nga Gjykata Kushtetuese, pavarësisht që e kishte shpallur ligjin të pavlefshëm, e kishte evidentuar ekzistimin e korporatizmit brenda sistemit prokuroria. Pra, nuk ka vende demokratike një strukturë të tillë siç për momentin ekziston në Këshillin Prokurorial.” – ka thënë ndër të tjera ministrja Haxhiu.