Sipas sondazhit të fundit të publikuar nga kompania UBO Consulting ka disa ndryshime në përqindje.
Lëvizja Vetëvendosje ka shkuar në kuotën 49.5%, Partia Demokratike e Kosovës 17.1% dhe LDK-ja ka rënie në 16%.
Në lidhje me këtë sondazh të publikuar së fundmi ka folur deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Ai tha se dora e pushtetit të ‘Kurti & Mihajli i ka “korruptuar” edhe sondazhet’.
Haxhiu potencoi se nominimi i Bedri Hamzës e ka frikësuar Albin Kurtin dhe VV-në nga humbja e zgjedhjeve.
“Duket se dora e pushtetit te binomit Kurti & Mihajli i ka “korruptuar” edhe sondazhet.Nominimi i Bedri Hamzes per kryeminster ia ka fut friken ne palce Albin Kurtit dhe LVV-së, nga humbja ne zgjedhjeve.Pérkrahja e qytetarëve për ekspertin e ekonomisë, profesionistin e dëshmuar Bedri Hamza, nuk mund të ndalet me sondazhe të porositura nga zyra propaganduese e Mihajlit te LVV-së” tha Haxhiu.
Deputeti i PDK-së tha se këto sondazhe bëhen për konsum politik ditor.
“Këto janë sondazhe për konsum ditor politik për të ushqyer militantet e LVV-së, sepse as vete LVV-ja nuk ju besojnë. Po të besonin vertet se janë në vendin e parë do ta kishin pranu oferten tonë për zgjedhje”.
Ai tha se Partia Demokratike e Kosovës është gati për zgjedhje ndërsa LVV-ja sipas tij ka frikë nga procesi zgjedhor.
“Ne kemi propozuar daten e zgjedhjeve 9 Qershor 2024, kemi nominuar Bedri Hamzen per kryeminister, jemi gati neser per zgjedhje.Për rezultatin e zgjedhjeve flasim pas zgjedhjeve nga vendi i parë, kur Bedri Hamza ta merr besimin e qytetarëve per ta udhehqur vendin si kryeminister e Kosovës.Nëse LVV-ja beson ne sondazhet e porositura, atëherë pse kanë frikë nga zgjedhjet” pyet Haxhiu.
Sondazhi është realizuar gjatë pjesës së parë të muajit mars me 907 respondentë dhe me margjinë të gabimit plus-minus tre për qind, bëhet e ditur nga kjo kompani.
Ky sondazh është kryer në kuadër të omnibusit të rregullt dhe është realizuar para urdhrit të Qeverisë për tokat e manastirit të Deçanit dhe para se PDK-ja ta shpallte Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.