Lajme

Haxhiu: Kjo legjislaturë me këtë qeveri të dëmshme e të dobët është mirë të shkojnë në shtëpi

By GAZETA SCANNER 1

July 11, 2024

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka folur për aktualitetin politik në vend.

Haxhiu në emisionin DPT te Fidani në ATV, e ka quajtur dështim total punën në Kuvend këtë vit, kryesisht në aspektin e miratimit të ligjeve që sipas tij, do t’ia lehtësonin jetën qytetarëve, përcjell Reporteri.net.

“Jo zyrtarisht jemi informuar se nesër është seanca e fundit e këtij sesioni edhe pse kryetari e ka obligim të na njoftojë zyrtarisht, por duket se kanë diskutuar mes vete mazhoranca. Ne kemi dëgjuar vetëm nga deputetët e Vetëvendosjes”, u shpreh Haxhiu.

“Shpresojmë të jetë edhe seanca e fundit e kësaj legjislature sepse e them me bindje të plotë, prej vitit 2011 kur e kam dhënë betimin për herë të parë si deputet, legjislaturë më të dobët Kuvendi nuk ka pasur asnjëherë, edhe për nga kualiteti edhe për nga puna. Kjo legjislaturë bashkë me këtë qeveri të dëmshme dhe të dobët, do të ishte mirë të shkojnë në shtëpi”, tha Haxhiu.

Deputeti i PDK-së ka folur edhe për shkuarjen në zgjedhje. Ai ka thënë se kjo parti është e gatshme të shkojë në zgjedhje me kandidat për kryeministër, Bedri Hamzën.