Lajme

Haxhi Avdyli: Asociacioni – lojë shahu mes Kurtit e Vuçiqit, ne e shohim si OJQ e Serbia si Republikë

By GAZETA SCANNER 1

May 10, 2023

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli ka thënë se marrëveshjet ndërkombëtare duhet të respektohen, por sipas tij, Asociacioni me kompetenca ekzekutive nuk do të zbatohet në Kosovë.

Betejën për ta formësuar Asociacionin sipas qëllimeve shtetërore të Kosovës në njërën anë dhe Serbisë në anën tjetër, Avdyli e ka quajtur lojë shahu që luhet mes kryeminsitrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.

“Kjo është një lojë shahu që po luhet mes Kurtit dhe Vuçiqit”, ka thënë Avdyli në “DPT te Fidani” në T7.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po mashtron qytetarët për çështjen e Asociacionit.

“Nuk është mashtrim. Mashtrim do të ishte, kur Albin Kurti do të ishte themelues, iniciator, i një Asociacioni. Asociacioni është i nënshkruar nga kryeministri Thaçi, nga kryeministri Isa Mustafa”, ka thënë ai.

Ai ka folur me bindje të plotë që një Asociacion me kompetenca ekzekutive nuk do të pranohet as nga Presidentja e as nga Kryeministri i vendit.

“Nëse një Asociacion ka kompetenca ekzekutive, atëherë të sigurt që as Kryeminsitri e as Presidentja nuk janë duke e pranu. Nuk do të ketë Asociacion si nivel i tretë i qeverisje”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se institucionet në Kosovë Asociacionin e shohin si OJQ, e jo si autonomi e as Republikë për serbët.

“Marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen duhet të bëhen, por ne jemi duke e menduar Asociacionin si një OJQ dhe jo si autonomi e as si Republikë, siç e sheh Serbia”, ka thënë Avdyli.