Lajme

Havolli: “Prishtina Parking” digjitalizon parkingjet, vlera e projektit shkon mbi 2 milionë euro

By GAZETA SCANNER 1

September 07, 2024

Ndërmarrja publike lokale “Prishtina Parking”, shumë shpejt do të digjitalizoj parkingjet ne kryeqytet, në kuadër të një projekti në vlerën e 2.4 milionë eurove. Këtë e ka bërë të ditur për Ekonomia Online Kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Sokol Havolli, i cili tha se ky investim ka potencialin të pozicionojë Prishtinën si një nga qytetet më të avancuara teknologjikisht në rajon dhe në Evropë.

Ai ka thënë se si ndërmarrje janë duke realizuar edhe projektin “Parko dhe Udhëto”, i cili do të ndihmojë në ndërtimin e disa parkingjeve jashtë qytetit, të cilat do të lidhen me linjat e trafikut urban, ku sipas tij, kjo do te lejojë përdorimi  e një bilete për parkim dhe udhëtim, duke ulur kështu kostot dhe duke reduktuar numrin e automjeteve në qendër të qytetit.

“Njëra ndër projektet që është duke u realizuar është projekti ‘Parko dhe Udhëto’ i cili nënkupton ndërtimin e disa parkingjeve jashtë qytetit ku prej atyre parkingjeve do të funksionalizohen linjat e ‘Trafikut Urban’ për në qendrën e qytetit dhe e njëjta biletë do të shërbej për parking dhe udhëtim dhe kjo do të ketë një kosto të ulët. Qëllimi  i kësaj metode është që të reduktohet prezenca e automjeteve në kryeqytet dhe të ofrohen alternativat e parkimit jashtë zonës të urbanizuar. Projekti substancial të cilin jemi duke realizuar është projekti i digjitalizimit të hapësirave publike në kryeqytet por edhe vendosja e shtyllave të mençura të cilat mbledhin një varg informacionesh të cilat janë të nevojshme për kryeqytetin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në kuadër të projektit të digjitalizimit do të vendosen 2 mijë censorë tokësorë në parkingje, të cilët do të ofrojnë informacion në kohë reale për gjendjen e parkingjeve dhe ndihmojnë në menaxhimin në efikas të tyre.

Sipas tij, ky informacion do të jetë në dispozicion për qytetarët dhe vozitësit nëpërmjet platformave digjitale.

“Kur flasim për projektin e digjitalizimit aktualisht në kuadër të këtij projekti kemi vendosjen e 2 mijë censorëve tokësor në parkingje të cilat neve na japin informacion në kohë reale se si është gjendja e parkingjeve dhe nëse janë të parkuar në ato vende banorët rezident apo vizitorët. Kjo e rrit efiçiencën e ndërmarrjes sepse në vendet ku ka të parkuar banorë rezident ne nuk kemi nevojë të realizojmë kontrolle, ndërsa fokusin e realizojmë në zonat ku ka më tepër vizitorë. Kjo do të shfaqet edhe si informacion publik për të gjithë vozitësit, për të gjithë qytetarët me qëllim që nëse janë ata afër një parkingu dhe dëshirojnë me ditë nëse kanë parking të lirë apo nuk ka, do ta kenë të shfaqura në ekranet apo në formë tabelore të cilat do të vendosen nëpër shumë rrugë brenda kryeqytetit. E gjithashtu do të jetë në dispozicion edhe nëpër telefon të mençur apo kompjuter. Përveç që na përmirëson neve ne aspektin e përformancës digjitalizim kjo e redukton në masë të madhe edhe trafikun”, ka thënë ai.

Havolli ka thënë se vlera e këtij projekti është rreth 2.4 milionë euro dhe pritet të përfundojë brenda 16 muajve, ai ka shtuar se një investim i tillë mund ta shndërroj Prishtinën në njërin prej qyteteve më të avancuara në aspektin teknologjik në rajoni dhe Evropë.

“Vlera e projekti është rreth 2.4 milionë euro, projekti ka 16 muaj afat për tu realizuar, mirëpo me ritmin aktual të punimeve të cilat janë duke u realizuar dhe për të cilat zona e parë vec është përfunduar, jemi duke pritur që ta realizojmë edhe ndërlidhjen e sistemeve. Pritjet realiste janë që deri në fund të këtij viti projekti do të jetë funksional në të gjithë qytetet. Një investim i tillë mund ta shndërroj Prishtinë në njërin prej qyteteve më të avancuara në aspektin teknologjik në krahasim me shumë vende të rajonit por gjithsesi por edhe në shumë vende të Evropës”, ka thënë ai.