Lajme

Hasani: Skenat ku shqiptarët i gjuajnë me gurë ushtarët e KFOR’it te Ura e Ibrit do të ishin suksesi më i madh i Serbisë e Rusisë

By GAZETA SCANNER 1

August 21, 2024

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani ka deklaruar se diskutimet mbi hapjen e Urës së Ibrit në emër të shtirjes së sovranitetit janë absurde. E në veri, ai tha se asgjë nuk është në rregull duke përmendur kështu mungesën e policisë, gjyqësisë dhe prokurorisë së rregullt. 

“Është absurde me thënë që ura simbolizon shtrirje të sovranitetit. Shtrirje të sovranitetit nënkupton kur ti i shtrinë taksat, i shtrinë gjyqet, disiplinën publike, luftën kundër krimit. Sot për sot duhet ta pranojmë…. që ti mundesh me u mburr, problemi është qysh të sheh ai që quhet Evropë dhe Perëndim, që ne duhet me shku atje. Sipas standardeve të Perëndimit, sot Kosova ne veri nuk ka struktura të pushtetit civil, nuk ka polici të rregullit, gjyqësi të rregullt, prokurori të rregullt dhe kjo është fakt. Atje funksionin gjyqësia, policia, prokuroria me komandim, do të thotë nuk janë indigjene, siç janë në Deçan, Pejë, Graçanicë, siç janë në pjesë të tjera të Kosovës”, theksoi profesori.

Veçanërisht në veri, Hasani tha se ka mungesë totale të sovranitetit, pasi sipas tij rendi dhe ligji janë duke u mbajtur me dhunë. Kjo deklaratë erdhi nuk aluduar në ndërmarrjen e veprimeve me forca policore.

“Është standard sot ndërkombëtarë mbi bazën e të cilit ka intervenuar edhe NATO dhe e ka godit Millosheviqin. Pse? Sepse çdo herë kur zbatimi i rendit dhe ligjit shoqërohet me dhunë permanente, non stop ndaj segmentit civil e popullatës, ajo nuk konsiderohet sovranitet. Ajo konsiderohet mungesë e tij. Bota të sheh kështu. Praktikisht në Kosovë ka mungesë totale të sovranitetit në pjesën veriore për shkak se rendi dhe ligji mbahen me dhunë dhe unë kurrë nuk mundem t’u them as studentëve e as ndërgjegjes sime, me i thënë që në territorin e shtetasve të Kosovës, sepse ata fillimisht janë shtetas të Kosovës e pastaj të Serbisë.Nëse ti detyrimet e ligjit të përditshëm të rendit i zbaton çdoherë në me forcat speciale, me prokurori dhe gjyqtarë që vijnë nga jugu ajo nuk është sovranitet. Pikë. Ajo është guvernancë”, deklaroi ai në një intervistë në RTK.

E çmimin për këtë formë të qeverisjes në veri, profesori universitar tha se do ta paguajnë gjithë qytetarët e Kosovës.

Nuk mundesh ti që në emër të luftimit të krimit dhe të kriminelëve, e të kontrabandës me ushtru dhunë sistematike ndaj krejt popullsisë pa diskriminim. Në sytë e botës së qytetëruar ku po jetojmë ne sot në Evropë është çmim që do ta paguajë, unë, ti dhe krejt qytetarët e Kosovës. Në veri derisa nuk ka prokurori të rregullt, gjyqtarë të rregullt, polici të rregullt ajo konsiderohet mungesë e sovranitetit dhe dhunë sistematike bruto e shtetit sovran dhe i pavarur i Kosovës. Serbët siç komandohen një pjesë bukur e jona prej Shqipërisë, shtetit amë që është krejt normale edhe ata komandohen prej Serbisë. Ka këtu një dialog të hapur dhe problemi i shtrirjes së sovranitetit në veri, kush mendon që e shtrinë me mjete të dhunës fizike të aparatit shtetërore ai është naivi më i madh. Ajo duhet të bëhet vetëm prej procesit politik”, tha ai.

Për sa i përket hapjes së Urës së Ibrit, siç po synon Qeveria, Hasani tha se nuk ka përfitime asgjë për Kosovën.

Ai këtë çështje e ka parë në tri dimensione.

E para sipas tij është dimensioni i përgjithshëm, është ai për përmirësimin e jetës së qytetarëve të dy pjesëve.

“Çështja e urës është në disa dimensione. Dimensioni i parë i përgjithshëm është që lidhet me funksionin e hapjes së saj, domethënë nëse ajo ka një funksion shtesë që përmirëson jetën e qytetarëve e të Mitrovicës. Në këtë kuptim ata që nuk e njohin konfiguracionin e reliefit të qytetit, domethënë në atë drejtim nuk përmirësohet kurrgjë, sepse nuk është se zhvillohet andej një jetë kulturore, ekonomike, shoqërore e të ngjashme që kish me rrit intensitetin që mund të përçojnë përmes një ure siç është Ura e Ibrit.  Në të dy anët e urës me një distancë vijë ajrore 500 metra janë dy ura tjera të cilat kalojnë dhe janë po aq madhësie, që kalojnë jo vetëm tash por gjithmonë ose së paku këto 10 vitet e fundit pas asnjë problem kanë kaluar njerëzit dhe makinat, kështu që nuk është që ka vuajtur populli për atë”, deklaroi ai në televizionin publik.

I dyti sipas tij, është ai për ruajtjen e votës dhe tonit nacionalist nga qeveria aktuale.

Dimensioni i dytë është dimensioni simbolik që çon peshë  sigurisht në çështjet politike për shkak që ai shihet çartë që bëhet për me e ruajt votën, pra pushteti e bënë atë për me e ruajt votën dhe tonin nacionalist të shqiptarëve, e që është dimensioni më i lehtë apo fusha më e lehtë ku mund të luhet politik, për dallim nga çështjet e qeverisjes ditore për shembull, çmimet, burimet e tjera të jetesës, jeta e qytetarëve, studentëve e kështu me radhë që janë të komplikuara, çështja e urës është bardhë e zi. Kështu ka qenë dhe te popujt tjera, pra çështja e nacionalizimit, simboleve të nacionalizimit”, tha ndër të tjera ai.

E për dimensionin e tretë, profesori thekson se është ai i arsyetimit zyrtar.

Ai deklaroi se edhe në rast të hapjes së Urës së Ibrit për vetura, rruga nuk të çon askund.

“Dimensioni i tretë është dimensioni i arsyetimit zyrtar. Prapë po e them te konfiguracioni. Për ata që nuk e dinë, kur të dalsh prej asaj ure nëse ke kalu me makinë, o ke me u kthy në të majtë ose në të djathtë, prapë ki me dal te këto urat tjera që i lidhin rrugët, për shkak se drejt nuk mundesh sepse s’ka qenë. Dikur ajo urë e ka ndarë qytetin kur ka shkuar drejt, që i themi ne deri tek burgu dhe pastaj për Zveçan, por ajo pjesë është bërë shëtitore. Është bërë sikur kjo e jona, domethënë është shndërruar në shëtitore dhe andej nuk mund të kalohet. Për pasojë ajo mund të jetë e dobishme për ndonjë rast ët emergjencave e kështu me radhë, përndryshe për çështjet e rutinës ditore nuk ka asnjë vlerë të shtuar, zero”, tha Hasani.

Profesori përmendi edhe një skenar që nuk do të ishte aspak i mirë për Kosovën, po i leverdishëm për Serbinë dhe Rusinë. Ky skenar sipas tij, do të ishte eskalimi i situatës në rast se ndërkombëtarët ndërhyjnë për të mos lejuar hapjen e Urës së Ibrit.

Një dhunë eventuale e përdorur nga shqiptarët ndaj KFOR-it, sipas Hasanit do të ishte një sukses i madh për Serbinë dhe Rusinë.

“Përgjatë asaj ure është ushtruar dhunë e gjenocid përgjatë shekujve. Kur ka hi Serbia në Kosovë në vitin 1918 ka hyrë përmes Urës së Ibrit, pra asaj ure. Prej asaj pjese kur e ka ripushtu Kosovën me ndihmën e francezëve. Këto gjëra duhet me i pa si pjesë të sigurisë së përgjithshme. Sot është e sigurt që Rusia dhe Serbia e kanë jetike me pas skena tek Ura e Ibrit, ku shqiptarët gjuhen me gur me KFOR-in e sulmojnë KFOR-in, e shajnë KFOR-in, e bëjnë armik KFOR-in dhe Perëndimin dhe ai kish me qenë suksesi më i madh i Serbisë  dhe i Rusisë. Ata kanë frikë, siç kemi gjithë qytetarët, edhe ata në Mitrovicë sepse atje nuk ka asnjë entuziazëm  përveç militantëve të caktuar partiak, sepse ata e dinë funksionin, siç e di unë të kësaj, që është zero. Problemi që ata e shohin është që në rast të një dhunë çfarëdo qoftë ajo, munden me u prish parametrat e Perëndimit me ata të popullsisë lokale. Sot për sot janë neutral”, tha ai.

Hasani ndër të tjera tha se Mitrovica është ndarë për çështje të sigurisë së mbrojtjes së civilëve pas luftës së fundit në Kosovë.

“Çështja e urës nuk lidhet me ndarje të Mitrovicës. Mitrovica është ndarë për çështje të sigurisë së mbrojtjes së civilëve serbë nga hakmarrja e popullsisë shumicë të mllefosur për shkak të gjenocidit që ka kryer regjimi serbë me të cilën serbët lokalë një pjesë mjerisht e madhe janë identifikuar edhe kisha e tyre fatkeqësisht”, tha ai.