Lajmest-slider

Haradinaj thirrje Kurtit: Pezulloje vendimin për targat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti që ta pezullojë vendimin për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë.

Ai po ashtu ka kërkesë edhe për presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

“I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit që urgjentisht ta thërras Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme, që të miratohet Rezoluta e propozuar prej AAK, për tejkalimin e situatës së krijuar”, ka thënë ai.

“Po ashtu i kërkoj Presidentes të marrë rol aktiv në qetësimin e situatës dhe në kapërcimin e ngërçit të krijuar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ish-kryeministri i Kosovës po ashtu ka kërkuar nga serbët e Kosovës që të përmbahen nga aktet e dhunës.

“I ftoj të gjithë qytetarët serb që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mos bien pre e kalkulimeve politike të regjimit në Beograd.  Është momenti i fundit që qeveritë në Beograd e në Prishtinë, të ulen e të bien në ujdi për marrëveshjen e paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve”, ka thënë Haradinaj.