Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla thekson se “Kosova ka nevojë urgjente për një rishikim strategjik të dialogut të saj me Serbinë, si çështje uniteti”
Vazhdimi i Kosovës për ta cilësuar ‘njohjen defacto’ si një synim të drejtë dialogu dhe si kundërvlerë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, “është sa e pavlefshme dhe e pafrytshme”.
Kështu e konsideron insistimin e Qeverisë së Kosovës që fillimisht të formalizohet njohja de facto nga Serbia, pastaj të zbatohen pikat tjera të Marrëveshjes Bazë, ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.
Në një postim në llogarinë e saj në platformën “X”, Haradinaj-Stublla thekson se “Kosova ka nevojë urgjente për një rishikim strategjik të dialogut të saj me Serbinë, si çështje uniteti”.
“Duke rënë dakord për: 6 pika kufitare IBM; tërheqja e institucioneve paralele nga veriu i Kosovës; mos bllokimi i Kosovës në forumet rajonale; nënshkrimi me një qeveri legjitime të Kosovës; pranimi i rrugës së saj të veçantë të integrimit në BE… të gjitha plotësojnë teorinë e nënkuptuar të njohjes”, shkroi ajo.
Argumentin e saj, Haradinaj-Stublla e ndërtoi mbi bazën se njohja de facto tashmë ekziston që prej Marrëveshjes së Brukselit (2013) dhe nëse e njëjta dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për interpretim të mëtejshëm ligjor, do do të përbënte njohje të nënkuptuar de facto.
“Nëse marrëveshjet e Brukselit që Serbia nënshkroi me Kosovën të gjykoheshin për interpretim të mëtejshëm ligjor në GJND, kjo përfundimisht do të përbënte njohje të nënkuptuar”.
Bisedimet e pafrytshme të kësaj jave në Bruksel kanë ngritur dilema e paqartësi për mënyrën e vazhdimit të dialogut.
As këtë herë, Kosova dhe Serbia nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes bazike të arritur në fillim të vitit.