Botë

Haradinaj: Serbia ta ndalë gjuhën e të fuqishmit, të mos e harrojë që ka një marrëveshje me Kosovën

By GAZETA SCANNER 1

August 21, 2023

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pasi ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se Mali i Zi e Maqedonia do të goditen sikur Ukraina, pasi që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Haradinaj ka shkruar se kjo gjuhë i takon së kaluarës dhe ka shkaktuar tragjedi.

“Vendet e lira, në vendimet e tyre të bazuara në interesin e tyre nacional, e kanë njohur Kosovën. Serbia duhet ta ndal gjuhën e të fuqishmit, të ndal kërcënimet dhe mos të harrojë se e ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman të përkrahur nga Amerika, dhe t’i kthehet gjuhës së arsyes”, ka shkruar ai.

Tutje Haradinaj ka shtuar se Kosova nuk do të ndalet nga rruga e vet drejt integrimeve euroatlantike.

“Do të ishte e mençur për Serbinë, që të lëviz nga “status quo” në të cilën gjendet”, ka përfunduar Haradinaj.