Lajme

Haradinaj: Sakrifica e heronjve është udhërrëfyesi më i mirë për ne, në angazhimet tona për shtetin siç e ëndërruan ata

By GAZETA SCANNER 1

May 21, 2023

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar bashkëluftëtarin e tij, Myrtë Zeneli në 25-vjetorin e rënies heroike. Haradinaj ka kujtuar edhe bashkëluftëtarët e Myrtës Zenelit, Faruk Elezaj, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlija dhe Isuf Morina.

“Sot, me krenari kujtuam dhe nderuam të rënët, që ranë heroikisht në këtë betejë. Në atë ditë, u përjetësua njëri ndër luftëtarët e parë të UÇK-së, Myrtë Zeneli, emrin e të cilit me krenari në fitore të njëpasnjëshme nëpër beteja do ta mbante Brigada 132 e ZO të Dukagjinit, si dhe bashkëluftëtarët Faruk Elezaj, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlija dhe Isuf Morina”, ka thënë mes tjerash Haradinaj.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Vatrat e Grabanicës, Dollovës, Kpuzit dhe Bokshiqit, ishin në front të luftës kundër armikut. 25 vjet më parë trimat e UÇK-së nga këto anë, zhvilluan betejë të lavdishme, e cila zgjati për tri ditë me radhë.

Sot, me krenari kujtuam dhe nderuam të rënët, që ranë heroikisht në këtë betejë. Në atë ditë, u përjetësua njëri ndër luftëtarët e parë të UÇK-së, Myrtë Zeneli, emrin e të cilit me krenari në fitore të njëpasnjëshme nëpër beteja do ta mbante Brigada 132 e ZO të Dukagjinit, si dhe bashkëluftëtarët Faruk Elezaj, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlija dhe Isuf Morina.

Në po të njëjtën ditë, u përjetësua Arben Haliti, emrin e të cilit e mbajti Brigada 112 e ZO të Drenicës. Bashkë me miq e bashkëluftëtarë morëm pjesë në zbulimin e shtatorës së heroit, Faruk Elezaj, ku sot u përjetësua në bronz në qytetin e Klinës, me ç’rast theksuam kontributin e tij për lirinë e Kosovës.

Përulemi para sakrificës së të rënëve për liri. Sakrifica e tyre është udhërrëfyesi më i mirë për ne, në angazhimet tona për shtetin siç e ëndërruan ata. Lavdi e përjetshme!