Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar bashkëluftëtarin e tij, njëkohësisht mësuesin e devotshëm me rastin e pensionimit, Xhemajl Dreshaj.
Haradinaj ka thënë se historia e mësuesit Xhemajl Dreshaj, është një përkushtim i pashembullt-formësimi i mendjeve në bankat shkollore.
“Xhemajl Dreshaj, nga sot e fillon një sfidë të re jetësore, pensionimin. Historia e tij është një përkushtim i pashembullt—formësimi i mendjeve në bankat shkollore, por edhe qëndresë e paepur përballë pushtuesit”, ka thënë Haradinaj. Haradinaj ka shtuar se Vrella i ka dhënë Atdheut shumë burra e gra që shkruan historinë.
“S’kishte si të jetë ndryshe. Vrella i dha Atdheut shumë burra e gra që shkruan historinë. Shumë nga ta, prehen sot në varrezeat e të rënëvë të Brigadës së lavdishme 133 Adrian Krasniqi, po në këtë fshat. Me kalimin e bashkëluftëtarit tonë Xhemajlit në pension, ne reflektojmë për gjurmët e pashlyeshme që ai la pas. Ai mësoi brezat për kuptimin e vërtetë të qëndresës dhe sakrificës”, është shprehur Haradinaj.Biseda me mësuesin Xhemajl, Haradinajt ia ka rikthyer në kujtesë bisedat me kreun e Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj.
“Biseda mësuesin Xhemajl, më riktheu në kujtesë bisedat me Kryetarin e Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj dhe kolegët e tij, me të cilët kisha rastin si kryeministër por edhe gjatë gjithë kohës të bashkëpunojmë në mbështetjen e kërkesave të tyre të drejta. Fatkeqësisht kjo qeveri që udhëheq me vendin mësimdhënësit i ka sjellur në një pozitë të vështirë, pa paga të favorshme e pensione të dinjitetshme”, ka shtuar Haradinaj. I pari i AAK-së i ka uruar shëndet të plotë mësuesit Xhemajl.
“Duke nisur këtë kapitull të ri jetësor, mësuesit Xhemajl i uroj shëndet të plotë në vitet në vazhdim pranë familjes.
Gëzuar pensionimin, Xhemajl Dreshaj”, ka përfunduar Haradinaj.