Lajme

Haradinaj: Nuk ka shqiptar që e beson se sulmin në Ibër Lepenc nuk e ka bërë Serbia

By GAZETA SCANNER

December 24, 2024

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, deklaroi se nuk ka shqiptar që e beson që nuk e ka bërë Serbia sulmin në Ibër Lepenc.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ajo shtoi po ashtu se nuk beson që ka ose ka pasur Kosova ndonjëherë ndonjë kryeministër që ka interesa ta kapitalizojë një gjendje të vështirë në veri, e cila është në dëm të qytetarëve të të gjitha komuniteteve të këtij vendi.

“Prandaj nuk besoj që ka shqiptar, ose janë të paktë ata shqiptarë që besojnë që ka një kryeministër shqiptar që e kapitalizon në dëm të interesit shtetëror një sulm”.

“Nuk pajtohem fare në hedhjen baltë në institucionet vitale të këtij shteti të cilat janë ndërtuar dhe punojnë ngushtë dhe vazhdimisht me institucionet dhe në radhë të parë me inteligjencat perëndimore të shteteve më të fuqishme të botës demokratike. Prandaj dhe AKI-ja çdo informatë që ia ka transmetuar kryeministrit dhe bartësve të institucioneve të Kosovë, ia ka transmetuar në koordinim me inteligjencat perëndimore”, deklaroi Haradinaj.

Tutje ajo shtoi se dallon çka thotë një ambasador dhe një zëdhënës hipotetik i inteligjencave, sepse sipas saj, ambasadori e jep deklaratën politikisht ashtu siç është interesi i shtetit që përfaqëson.

“Mesazhi që e jep një ambasador duhet të deshifrohet në aspektin diplomatik, dhe ambasadori amerikan padyshim që ka interes që të mos e lëndojë dialogun me Serbinë sepse jemi në një vakum politik”, tha ish-ministrja Haradinaj, duke iu referuar deklarimit të ambasadorit amerikan se nuk mund të akuzohet askush meqë hetimet janë duke u zhvilluar.