Ka vdekur ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Haradinaj.
Kjo është bërë e ditur përmes njoftimeve të shumta të bëra sot në rrjetet sociale.
Agron Haradinaj ndryshe ishte edhe vëllai i Nasim Haradinajt.
Në lidhje me vdekjen e tij ka reaguar edhe i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka ngushëlluar familjen dhe miqtë e të ndjerit.
Postimi i plotë:
Thellësisht i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Agronit!
Agroni një jetë të tërë ishte në shërbim të Atdheut, para lufte, në luftë e në paqe. Bashkë më të vëllain Nasimin, angazhimin për vendin e kishte trashëguar nga i ati Smajl Haradinaj.
Ai ishte i burgosuri politik më i ri në moshë në Jugosllavinë e atëhershme ndërsa u shqua si njëri ndër luftëtarët më të zotë të Ushtrisë Çlirimtare. Ai kishte kohë që vuante nga një sëmundje e rëndë e shkaktuar nga presioni i eksplodimit të një rakete të hedhur nga aeroplanët e ushtrisë serbe në bombardimet në fshatin Prilep të Deçanit.
Ngushëllime familjes Haradinaj, bashkëluftëtarëve, shokëve dhe gjithë atyre që e njohen.
U prehsh në paqe, Agron!