Ballina

Haradinaj nga Prizreni: Siç e ngritëm Ushtrinë dhe vendosëm taksën 100%, do të vazhdojmë të luftojmë për një Kosovë të fortë

By GAZETA SCANNER 1

December 03, 2024

Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Prizreni.

Haradinaj ka thënë se do ta mbrojmë familjen dhe do të ndërprejmë padrejtësitë që iu bëhen qytetarëve në tatimin në pronë.

Ai ka përmendur edhe Ushtrinë e Kosoëvs si dhe vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë që e kishte vendosur sa ishte në Qeveri.

“Në qytetin e Lidhjes Shqiptare, prezantuam ekipin tonë të fortë për Kuvendin e Kosovës: Besnik Krasniqi Luljetë Berisha, Edmond Hoxha, Abdylnaser Sefa dhe Armend Memqaj. Bashkë me ta, do t’i japim fund vuajtjes së qytetarëve për ujë të pijshëm me ndërtimin e digës së Manastiricës, do ta funksionalizojmë zonën industriale dhe do ta mbrojmë trashëgiminë historike të Prizrenit. Do ta mbrojmë familjen dhe do të ndërprejmë padrejtësitë që iu bëhen qytetarëve në tatimin në pronë”, ka thënë Haradinaj.

“Me përvojën tonë në qeverisje dhe me program konkret ekonomik, do të sigurojmë paga minimale 500 euro dhe mesatare 1000 euro, do të barazojmë pensionet me pagën minimale, do të ulim TVSH-në për ushqimet bazë dhe do të heqim akcizën e naftës për bujqit. Ashtu siç e ngritëm Ushtrinë e Kosovës dhe vendosëm taksën 100%, do të vazhdojmë të luftojmë për një Kosovë të fortë. Ne jemi Kosova që di të ngrihet. Ne jemi Kosova Fituese”, është shprehur Haradinaj.