Lajme

Haradinaj nga Juniku: Do ta realizojmë vizionin për këtë zonë të artë turistike

By GAZETA SCANNER

November 25, 2024

Kryetari i AAK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka qëndruar sot në Junik.

Ai tha se bashkë me Agron Kuçin, kandidatin junikas për deputet, që siç thotë ai e njeh zhvillimin e Junikut, do të realizojnë vizionin për këtë zonë të artë turistike.

“Juniku, një vend i bekuar me bukuri natyrore dhe histori të lavdishme, sot qëndron në pritje të zhvillimit që meriton. Gjatë qeverisjes sonë, nisëm projektet jetike – nga rruga Junik-Gjeravicë deri te kanalet e ujitjes, nga shkolla e re dhe infrastruktura bazë. Bashkë me Agron Kuçin, kandidatin junikas për deputet, që e njeh rrugën e zhvillimit të Junikut, do të realizojmë vizionin për këtë zonë të artë turistike. Do të investojmë në infrastrukturën moderne, do të zhvillojmë turizmin malor, dhe do të krijojmë mundësi të reja punësimi për të rinjtë e Junikut”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më tutje, kreu i AAK-së, thotë se plani i partisë së tij për “Kosovën Fituese” fillon me anëtarësimin direkt në NATO përmes Planit Aksional dhe me rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe asaj mesatare në 1000 euro.

“Plani ynë për Kosovën Fituese fillon këtu; me anëtarësimin direkt në NATO përmes Planit Aksional, që është hapi strategjik që do të përmirësojë sistemet arsimore e shëndetësore dhe hapë perspektivë për zhvillim të një ekonomie të qëndrueshme. Me rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe asaj mesatare në 1000 euro, me uljen e TVSH-së për produktet bazë, dhe me mbështetjen e fortë për familjet tona. Ne nuk premtojmë – ne realizojmë, sepse e dimë rrugën. Kosova Fituese është projekti ynë i përbashkët, dhe Juniku do të jetë shembull i suksesit të këtij vizioni”, ka thënë ai.