Lajme

Haradinaj: Masakra e Reçakut mbetet dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë

By GAZETA SCANNER 1

January 15, 2023

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar viktimat e masakrës së Reçakut në përvjetorin e kësaj ngjarje makabre qe tronditi botën.

Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se kjo masakër mbetet dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë.

“Kjo masakër mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë:

Përulemi e nderojmë të rënët për liri në të gjithë vendin e veçanërisht viktimat e Masakrës së Reçakut, civilët e masakruar në zemër të Evropës, masakër kjo që shokoi dhe vuri në lëvizje gjithë botën demokratike që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë.

Kjo masakër mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar.

Mirënjohës përjetë Ambasadorit amerikan William Walker që e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit.

Lavdi të rënëve për lirinë e Atdheut!