Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj e thotë se me pranimin e propozimit evropian të 21 tetorit, Kosova është vendosur në një pozicion të duhur.
Ai ka lavdëruar kryeministrin Kurti për atë se çka pranoi dje në Bruksel, transmeton lajmi.net.
“Dje Kosova ka brëë një hap të madh përpara. Kryeministri Kurti me pranimin e propozimit të peshëshes për implementim e ka vendosë Kosovën në një pozicion të duhur në këtë kohë, pas shumë gabimeve dhe një kohe të gjatë të humbur në dialog”, ka thënë Haradinaj.
Ai kësisoj ka kërkuar nga BE heqjen e menjëhershme të sanksioneve ndaj Kosovës dhe të mos jetë në pikëpyetje liberalizimi i vizave.
“Me zhvillimet e djeshme, BE-ja duhet t’i heq sanksionet ndaj Kosovës menjëherë….Është e pakuptimtë me vazhdu me sanksione për Kosovën. Besoj që edhe presidenti Macron ndihet mirë. Kosova e ka mbajtë fjalën. Plani franko-gjerman, udhërrëfyesi i Ohrit, obligimet e marra janë konfimu dje me gatishmëri për zbatim. Lus BE-në që të mos ketë dilema, ta kthen fuqishëm liberalizimin e vizave se e kemi meritu me kohë. E lus Kurtin që këtë situatë të krijume mos ta kthen prapa por të veprojë në koordinim të ngushtë me aleatë tanë të sigurisë“, ka shtuar Haradinaj.
Teksa tutje ka kërkuar llogari nga Kurti që të shpjegojë “kohën e humbur në dialog”.
“Ne e kemi interes me nis procesin për anëtarësim në NATO. Ta shfrytëzojë ditën e djeshme për të ec drejt NATO-s…Të respektoj të zgjedhurit në parlament dhe të shpjegoj për krejt rrugëtimin, për kohën e humbur në dialog…Të gjitha të arriturat që i kemi sot kemi mujt m’i pasë para dy vjete edhe ma të mira dhe sot ndoshta do të kishim me qenë si Suedia, si vendet tjera në etapat finale të anëtarësimit në NATO”, ka thënë Haradinaj.