Lajme

Haradinaj kujton në përvjetorin e rënies së tyre, dëshmorët e Dukagjinit

By GAZETA SCANNER 1

May 26, 2024

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar në përvjetorin e rënies, luftëtarët e Dukagjinit, Arben e Luan Qerimaj, Fetah Selca, Besim Alijaj, Rexhep Tafa dhe Haki Krasniqi.

Kreu i AAK-së u shpreh se derisa nderohen dëshmorët e luftës, kujtohet se liria që gëzohet sot, është shumë e shtrenjtë.

“Arben e Luan Qerimaj, u rritën nën frymën patriotike e atdhedashëse, të inspiruar nga familjarët e tyre që ishin gjatë gjithë jetës në luftë me armikun. U bashkuam sot në Gllogjan, në nderim e kujtim të luftëtarëve më të zotë që kishte Dukagjini, Arben e Luan Qerimaj, Fetah Selca, Besim Alijaj, Rexhep Tafa dhe Haki Krasniqi”, shkroi Haradinaj në Facebook.

“Të gjithë këta bashkëluftëtarë që i kujtuam sot ishin të veçantë, secili në mënyrën e vet. Në përvjetorin e rënies së tyre kujtojmë shpirtin luftarak dhe besnikërinë ndaj shokëve të plagosur. Herozimi i tyre deri në vetëflijim është dëshmi e nderit të luftëtarit shqiptar”.

“Derisa nderojmë dëshmorët e luftës sonë çlirimtare, ne kujtojmë se sa e shtrenjtë është liria që e gëzojmë sot. Ishte lufta jonë çlirimtare që na solli Aleancën me NATO-n e udhëhequr nga Amerika. Falë sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe brezave që kontribuuan ndër vite për Atdheun sot ne gëzojmë shtetin e pavarur dhe Ushtrinë moderne që kryen misione përkrah shteteve aleate të NATO-s, e misionin tonë në sigurimin e lirisë sonë nuk duhet ta ndalim derisa të bëhemi ofrues të sigurisë, si pjesë e NATO-s. Lavdia u takon të gjithë atyre që u vunë në mbrojtje të Atdheut!”.