Lajmest-slider

Haradinaj emëron Kreshnik Gashin drejtor të AKI-së, Burim Ramadanin inspektor të përgjithshëm

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se në bashkërendim me presidentin Hashim Thaçi ka emëruar Kreshnik Gashin në pozitën e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërendim me presidentin, sot kam emëruar, Kreshnik Gashi, në postin e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së. Profilet e të emëruarve, si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së”, ka shkruar Haradinaj në në Facebook.

Gashi ka mbajtur pozitën e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP), derisa Ramadani ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes.

Ky vendim i Haradinajt vjen pasi ditë më parë, Shpend Maxhuni ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.