Ekonomi

Haradinaj: Dyshoj se vonesat në zbatimin e Ligjit për paga po bëhen qëllimshëm

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka komentuar veprimin e Avokatit të Popullit, i cili e ka dërguar Ligjin për pagat në Gjykatë Kushtetuese, për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Ai në një konferencë për medie ka thënë se vonesat në zbatimin e këtij ligji duket se janë të qëllimshme.

“Është tepër zor për mua me e thënë këtë që po e them, por e kam njëfarë dyshimi që po bëhen me qëllim këto skenare të vonesave të ligjeve. S’duhet me e thënë këtë një kryetar qeverie. Ne i besojmë institucioneve edhe Avokatit të Popullit edhe të gjithave, por e kam një dilemë se është pak e qëllimshme kjo zhagitje”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se mund të fillojë zbatimi i Ligjit për pagat, ndërsa nëse ka ankesa nga palë të ndryshme, atëherë sipas tij ato mund të merren parasysh dhe të amandamentohet ligji në fjalë.