Ramush Haradinaj i cili po e synon edhe një mandat si kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë të dielën se “do ta shpëtojnë Kosovën nga populistët”.
Sipas tij, Kosova nuk është mirë, pasi drejtohen nga “politikanë të pangopur për protagonizëm”.
Këto komente erdhën gjatë Kuvendit Zgjedhor të AAK-së.
“Kosova nuk është sot mirë. Qytetari i Kosovës nuk është mirë. Kosova sot udhëhiqet nga politikanë të pangopur në protagonizëm, në populizëm e mosbesues deri në fund, të frikësuar nga çdo gjë dhe në paranojë e izolim”, ka thënë Haradinaj. “Kosova është e trembur dhe reaguese. Pse? Sepse ata që duhet ta ndërrojnë këtë gjendje janë oportunistë. Jetojnë në ujëra të qeta, edhe kur Kosova është në stuhi. Janë përfitues rasti, shijojnë privilegje për konsum të tyre e për fat të keq të tillë ka shumë si në nivel qendror e lokal”.
Haradianj nuk pritet të ketë rival në garën e brendshme të partisë.