Lajme

Hapja e Urës së Ibrit, Dugolli i VV-së: Nuk do të kacafytemi me KFOR-in

By GAZETA SCANNER 1

September 27, 2024

Zëvendëskryetari i Komisionit për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, Enver Dugolli, duke folur për hapjen e Urës së Ibrit tha se nuk e kanë ndërmend të kacafyten me KFOR-in.

“Mbi urën e Ibrit nuk ka struktura paralele, por janë dy automjete të KFOR-it, të cilat ne nuk do t’i heqim me dhunë. Këtë mos e prisni prej nesh që ne do të kacafytemi me KFOR-in”, tha Dugolli.

Dugolli i përgjigjet SHBA-së rreth çështjes së mundësisë së sanksionimit të policisë.

Ai komentoi deklaratat e Ambasadës së SHBA-së lidhur me raportimet se kanë sanksionuar Policinë e Kosovës.

Ambasada për RTV21 ka thënë se nuk është marrë asnjë vendim për momentin por që janë në shqyrtim, sipas tyre qëndron ajo se çfarë është thënë në muajin gusht.

Ai i ka thënë se asnjë të vendim të mirë apo të keq SHBA nuk e merr pa kaluar nëpër një varg zinxhiri të konfirmimeve.

“Atë shqetësimin që e ka ngrit atëherë ambasadori amerikan… Ata e kanë pasur shqetësimin kryesor për çështje e tensionimit dhe ne i mirëkuptojmë ato shqetësime. E dimë se ata janë hisedarë në lirinë e Kosovës dhe në shtetndërtim dhe ne komunikojmë me ta, por edhe në komunikime zyrtare edhe në komunikime të tjera janë sqaru të gjitha. Ne nuk e kemi synim tensionimin e situatës. Përkundrazi të gjitha veprimet që janë marrë kanë të bëjnë me zbatimin e rendit dhe ligjit”, tha ai në RTV21.

Kur u pyet pse iu drejtua gishti ministrisë së brendshme Dugolli tha se u krijua bindja se u panë forcat e policisë aty kur u mbyll zyra e strukturave paralele.

“U krijua përshtypja se Policia e Kosovës po ndërmerr veprime. Policia ka asistu dhe Policia e Kosovës i përgjigjet vendimeve të Qeverisë, të institucioneve të cilat bëjnë kërkesa të tilla konform vlerësimit të situatës së sigurisë. Nuk është Policia e Kosovës që bën politika. Policia i zbaton politikat të cilat janë të bazuara në rend dhe ligj”, tha Dugolli.