Kult

Hapet ekspozita individuale e Jakup Ferrit, shpaloset puna 15 vjeçare e artistit

Në ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës sot është hapur ekspozita individuale e artistit të mirënjohur Jakup Ferri, ekspozitë kjo që shpalos punën 15 vjeçare të artistit.

Situata e fundit që ka kapluar vendin, ka bërë që secili aktivitet të zhvillohet me shumë masa e kufizime, ndër to ishte edhe kjo ekspozitë e cila limiton edhe numrin e vizitorëve.

Ndërkaq, edhe pse një situate mjaft e trishtë si pasojë e pandemisë, arti i Ferrit i kishte dhënë jetë Galerisë Kombëtare me pikturat, vizatimet e tapiseritë e tij.

Artisti është shprehur se për këtë ekspozitë janë sjell 100 punime nga Holanda.

“Ka qenë shumë e vështirë̈ që t’i sjellim 100 punime nga Holanda, falënderoj Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Komunën e Prishtinës të cilët ndihmuan shumë rreth gjithë këtij organizimi”, ka shkruar artisti, transmeton Kultplus.

Vlen të ceket se vetëm një muaj më parë, në Bienalen Ndërkombëtare të Vizatimit që u mbajt në Galerinë Kombëtare, Ferri ishte bashkëfitues i çmimit të parë të kësaj bienaleje.

Ekspozita nuk pati ceremoni të hapjes, mirëpo për publikun do të qëndrojë e hapur deri më 30 gusht të këtij vit.

GKK ka bërë lutje për mysafirët që të respektojnë masat e rekomanduara nga Instituti IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e Covid-19.

Jakup Ferri i lindur në vitin 1981, në Prishtinë, Kosovë, ka studiuar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës dhe Rijksakademy në Amsterdam.

Në vitin 2008, Jakup Ferri mori çmimin Buning Brongers në Amsterdam. Ai ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare, ndër të tjera: U-TURN Quadrennial for Contemporary Art Copenhagen, Istanbul Biennal dhe De Hallen në Haarlem.