Kulturë

Han Kang e Koresë së Jugut e fiton Nobelin për Letërsi

By GAZETA SCANNER 1

October 10, 2024

Shkrimtarja Han Kang nga Koreja e Jugut e fitoi të enjten Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2024 për “prozën e saj të thellë poetike që ballafaqon trauma historike dhe e shpërfaq brishtësinë e jetës njerëzore”, tha Akademia Suedeze të enjten.

Vlera monetare e çmimit prestigjioz është 11 milionë krona suedeze ose 1,1 milion dollarë, raporton agjencia “Reuters”.

“Ajo ka një vetëdije unike të lidhjeve mes trupit dhe shpirtit, të gjallëve dhe të vdekurve dhe në stilin e saj poetik dhe eksperimental është bërë inovatore në prozën bashkëkohore” – tha në një deklaratë Anders Olsson, drejtor i Komitetit të Nobelit.

Kangu, e para nga Koreja e Jugut që i jepet Nobeli për Letërsi, e ka nisur karrierën në vitin 1993 me botimin e disa poemave në revistën “Letërsi dhe Shoqëri”, ndërsa debutimin me prozë e bëri më 1995 me koleksionin me tregime të shkurtra, “Dashuria e Yeosu-s”.