Ballina

Hamza nga Uashingtoni: Urat mbi Ibër dhe me Amerikën duhet të hapen

By GAZETA SCANNER 1

August 08, 2024

Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Ura kryesore e Ibrit është tashmë e hapur për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe duhet të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve. Por, ai i ka quajtur veprimet e Qeverisë Kurti një “farsë propagandistike”.

Hamza në një intervistë për Express nga Washingtoni, ku ndodhet për vizitë, ka thënë se sikurse edhe dhjetëra herë më herët edhe këto ditë po shohim një ortek të manipulimeve të opinionit publik nga kjo qeveri në shkuarje.

“Për qëllime të spektaklit elektoral, Albin Kurti sot po përpiqet që së pari t’i mbyllë disa filiale të shërbimeve publike të Serbisë, që mos të diskutojmë dështimet në ekonomi, dështimet në arsim, dështimet në investime kapitale, shkeljet e hatashme të ligjit në prokurime dhe tendera njëburimorë. Lista e dështimeve dhe e dëshpërimeve me këtë qeverisje është tepër e gjatë”, ja thënë ai.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut ka thënë se ura duhet të hapet, porse “mbeten vetëm edhe dy detaje që duhet adresuar: kur dhe si të hapet?”

“Janë po këto ‘detaje’ që e mbajtën të mbyllur atë kaq gjatë. Dhe, po, janë po këto detaje të cilat i pranoi edhe Kryeministri e edhe ministri i tij i brendshëm, që të dy e pranuan se nuk dinë se si ta bëjnë një gjë të tillë dhe nuk e kanë as përkrahjen ndërkombëtare. Këtë e kanë ditur edhe përpara, e dinë edhe tash”, ka thënë ai.

Hamza, i cili po qendron në SHBA, ka thënë se ura mbi Ibër duhet të hapet, mirëpo, jo duke i rrënuar të gjitha urat tjera me botën, me partnerët dhe me bashkëqytetarët tonë në veri.

“Ura duhet të hapet si simbol i bashkëpunimit me qytetarët dhe aleatët tonë. Kështu siç po vepron kjo qeveri e papërgjegjshme, po rrezikojmë që ajo të mbetet e mbyllur edhe për një kohë shumë të gjatë. Albin Kurti nuk po e hap dot urën, veç sa po e cementon prezencën e NATO-s mbi atë urë. Nuk po forcohet sovraniteti por Qeveria e Kosovës po e kthen KFOR-in dhe EULEX-in dhe po e kthen Rezolutën 1244. Ky është zhvillim për keqardhje”, ka shtuar ai.

Hamza ka zhvilluar takime të rëndësishme në SHBA, në Shtëpinë e Bardhë dhe institucione të tjera të rëndësishme.