Ballina

Hamza: Me mua kryeministër, pritja shumëvjeçare për sigurimet shëndetësore do të marrë fund

By GAZETA SCANNER 1

July 05, 2024

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar edhe sot vizitat nëpër qytete të ndryshme e takimet me qytetarë.

Edhe pse sot Hamza nuk ka dalë nga qyteti i Mitrovicës, ku aktualisht është kryetar, ai nga atje ka premtuar se me të kryeministër, pritjet e qytetarëve për sigurimet shëndetësore publike do të marrin fund.

“Me profesionistët më të mirë të fushës, së shpejti do ta shpalosim programin për shëndetësinë, ku me mjekët, infermierët dhe tërë personelin shëndetësor, të cilët do të kenë trajtim e paga meritore, jam i bindur që do të avancojmë me cilësinë e shërbimeve për të gjithë qytetarët tanë, anekënd Kosovës. Edhe pritja shumëvjeçare për sigurimet shëndetësore publike do të marrë fund, sepse funksionalizimi i tyre është ndër prioritetet e mia kryesore”, ka shkruar Hamza.

Postimi i plotë në Facebook:

Ashtu siç kam premtuar, projekt pas projekti, po finalizohen. Edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare tashmë ka marrë formë dhe do të jetë një prej qendrave më moderne në rajon. Me mikun tim, Halil Kastratin, i cili me Shoqatën “Jetimat e Ballkanit” po bën punë të jashtëzakonshme, sot i pamë nga afër punimet e këtij bashkëfinancimi dhe jemi të kënaqur me dinamikën e punës. Mitrovica po avancon edhe më tej me shërbime shëndetësore. Ky ishte zotimi im kur qytetarët ma dhanë besimin për të qeverisur me Mitrovicën. Por, shëndetësia do të jetë prioritet i imi edhe si kryeministër.

Me profesionistët më të mirë të fushës, së shpejti do ta shpalosim programin për shëndetësinë, ku me mjekët, infermierët dhe tërë personelin shëndetësor, të cilët do të kenë trajtim e paga meritore, jam i bindur që do të avancojmë me cilësinë e shërbimeve për të gjithë qytetarët tanë, anekënd Kosovës. Edhe pritja shumëvjeçare për sigurimet shëndetësore publike do të marrë fund, sepse funksionalizimi i tyre është ndër prioritetet e mia kryesore.

Halil Kastratin dhe Shoqatën “Jetimat e Ballkanit” i falënderoj për mbështetjen e pakursyer në këtë projekt tejet të rëndësishëm për Mitrovicën!